Gjithsesi, meritat kryesore për këtë gjë i shkojnë Dritës e Prishtinës, skuadra këto që dhanë ndeshje të bukur, derisa për një spektakël në tribuna u përkujdesën tifozët e Dritës që ishin të shkëlqyer, si dhe Plisat në anën tjetër të tribunës. Rivalitet i madh si në fushë ashtu edhe në tribuna kaloi në mënyrë sportive pa asnjë incident. Kjo është ajo që kërkohet nga tifozët dhe klubet, kjo është ajo që i duhet futbollit.
“Mbrëmë kam bërë gjumë të rehatshëm. Spektakël në tribuna, futboll i bukur në fushë, gjykim i drejtë e mbi të gjitha anim korrekt”, kështu e ka përshkruar këtë javë kryetari i gjyqtarëve të Kosovës, Përparim Hasani, gjyqtarët e të cilit në javët e kaluara u kritikuan ashpër nga trajnerët. Por me këtë u pa se kur ata kanë siguri dhe nuk kanë presion dinë ta ndajnë mirë drejtësinë.
“Futbolli luhet për shikues edhe prania e një numri të konsiderueshëm të tyre e gjallëron vetë futbollin, dhe është motiv për futbollistët. Unë po shpresoj që të vazhdohet me atmosferë të tillë siç ishte në Gjilan edhe në stadiumet tjera”, ka thënë mesfushori i Prishtinës, Azem Ahmeti i cili në përballje me Dritën, i priu skuadrës së “bardhekaltër” duke bartur shiritin e kapitenit. Ai atmosferën në Gjilan e përshkruan si shumë të mirë dhe se aty u luajt vetëm futboll.
“Në ndeshjen me Dritën, ishte një atmosferë shumë e mirë. Futbolli ynë ka nevojë për aso pamje. Atmosfera në stadium ishte shumë e mirë e mbi të gjitha animi ishte korrekt”, tha Ahmeti.
Gjithsesi, Drita këtë herë mori notë pozitive, por ajo që vazhdimisht po ofron spektakël dhe po kënaq të gjithë është Vushtrria. Tifozët e saj po e mbushin stadiumin dhe me atmosferën që krijojnë duhet t’i kenë lakmi të gjithë.
“Sivjet është më mirë, në të gjitha stadiumet ka tifozë më shumë. Sa i përket Vushtrrisë, është kënaqësi të luash aty. Në ditën e zhvillimit të ndeshjes në qytet është sikur festë, nga mëngjesi aty flitet vetëm për futboll. Stadiumi, gjithmonë është plotë dhe vërtet them se ata shikues e meritojnë titullin e kampionit”, tha ish sulmuesi i Prishtinës, Faton Zejnullahu që sivjet iu bashkua skuadrës vushtrriase, Llamkos Kosova.
Ajo që duhet thënë është se futbollit tonë po i kthehet shkëlqimi. Shpresojmë të vazhdohet me këtë ritëm, derisa klubet suksesin ta kërkojnë vetëm përmes lojës së treguar në fushë, kjo i kënaq tifozët, kjo i kthen ata në tribuna. Të vazhdohet kështu, në mënyrë që java e 5-të të mos mbetet vetëm shembull për të mirë. /Zëri/Telegrafi/