Site icon Telegrafi

Futbollisti më i vjetër në botë është në kërkim të një klubi të ri, ai zbuloi “sekretin” e jetëgjatësisë

Robert Carmona (62-vjeçar), zyrtarisht futbollisti më i vjetër në botë, është në kërkim të klubit të tij të 50-të pasi i skadoi kontrata me Nuevo Casabo në Uruguai.

Carmona u njoh si futbollisti më i vjetër në botë nga Libri i Rekordeve Guinness, ku mbahet si mbajtësi absolut i rekordeve. Megjithatë, edhe pse ka kohë që është në vitet e fundit të lojës, ky uruguaian nuk ka ndërmend të ndalet.

Pak ditë më parë ai u largua nga klubi i kategorisë së katërt uruguaian Nuevo Casabo dhe është në kërkim të një klubi të ri.

“Do të jetë shumë e vështirë për këdo që të përsërisë arritjen time si futbollisti më i vjetër në botë, thuajse e pamundur. Ka pasur nga ata që dikur kanë qenë futbollistët më të vjetër në botë, dhe tani shohim se ata thanë lamtumirë shumë më të rinj se unë”, ka thënë fillimisht Carmona.

Lexo po ashtu Rrëfimi i Robert Carmona, lojtari më i vjetër i futbollit në botë: 62 vite mbi supe, 48 vite profesionist, tetë operacione dhe nuk dorëzohet

Ky uruguaian 62-vjeçar e filloi karrierën e tij në vitin 1976. Ai garanton klubin që dëshiron ta transferojë se është “i ngjashëm me Cristiano Ronaldon për nga profesionalizmi”.

Në një intervistë për mediat uruguaiane, ai ka zbuluar sekretin e jetëgjatësisë. Ai thekson se trajnimi është çelësi i përpjekjes së tij për të thyer rekorde.

“Edhe si fëmijë, e dija se kisha aftësinë për t’u bërë një futbollist i madh. Gjithmonë kam thënë se një nga gjërat më të rëndësishme për sukses është stërvitja. Prandaj e bëj çdo ditë për 49 vjet. Unë stërvitem dy ose tre orë çdo ditë, gjashtë ditë në javë, unë jam si Ronaldo për profesionalizëm”.

 

Ai shtoi se vitet e fundit ka luajtur futboll pa kontratë, i duhet vetëm një marrëveshje me klubin. Ai nuk ka nevojë për para.

“Edhe pse rroga ime bazë nuk mjafton për të jetuar, kam burime të tjera të ardhurash që lidhen me të drejtat sportive dhe pjesëmarrjen në evente. Kam luajtur më shumë se 2000 ndeshje në jetën time dhe në fillim të vitit të ri po analizoj opsionet që kam, mund të luaj akoma 90 minuta, pasi kam luajtur në 95 për qind të karrierës sime”.

Në fund, Carmona ka konstatuar se ndërprerja e bashkëpunimit me klubin Nuevo Casabo ka ardhur si pasojë e problemeve me lëndime, dhe jo për paraqitje të këqija. /Telegrafi/

Exit mobile version