Site icon Telegrafi

Futbollisti që dikur është konsideruar pasues i Roberto Carlos, është pensionuar nga futbolli në moshën 36-vjeçare

Ish-lojtari i Real Madridit, Royston Drenthe, ka njoftuar pensionimin e tij nga futbolli në moshën 36-vjeçare.

Drenthe ishte pjesë e Holandës U-21 që fitoi Evropianin në vitin 2007, duke e mposhur Anglinë gjatë rrugëtimit për në finale. Ai ishte shpallur lojtari më i mirë i turneut.

Në një intervistë për mediumin ESPN, Drenthe tha se ka ardhur koha që ai t’i jap fund karrierës si futbollist profesionist.

“Fakti që po e kuptoj se ky është fundi është diçka e vështirë për t’u gëlltitur”, kishte thënë fillimisht Drenthe.

Tutje, ai u pyet për hapat e radhës që do t’i ndërmarrë në jetën e tij.

“Unë do të mendoj rreth kësaj gjatë javës së ardhshme, por nuk dua të bëhem trajner sidoqoftë. Fokusi im tani është të punoj në ndonjë televizon, projekte të reja janë duke ardhur”, shtoi ai.

Drenthe pati një karrierë të bujshme që e pa atë të luajë për 15 klube të ndryshme në Angli, Holandë, Spanjë, Turqi, Rusi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai madje u tërhoq nga futbolli në vitin 2016, para se të rikthehej përsëri në fushë në vitin 2018.

Disa nga momentet më të mira në karrierën e tij erdhën gjatë kohës kur ai luante për Real Madridin, Everton, Reading dhe Sparta Rotterdamin.

Drenthe pati një jetë edhe jashtë futbollit, duke zhvilluar karrierë si reper , aktor, ekspert televiziv, punonjës shëndetësor etj.

Ai në një kohë kishte pranuar se nuk ishte gati të bëhej futbollist, duke thënë se stili i jetës së tij ishte një pengesë e madhe në zhvillimin e karrierës si futbollist./Telegrafi/

Exit mobile version