“Talenti i Vitit” në kampionatin shqiptar për këtë vit është zgjedhur talenti nga Prishtina, Liridon Latifi. Ky çmim i cili shkon për lojtarin e ri më të dalluar në kampionat, organizohet nga shoqata “Sporti na Bashkoi” për vitin e tetë radhazi.
Trofeu kryesor i këtij sezoni shkoi për sulmuesin e Skënderbeut, Liridon Latifi. Latifi rezultoi një nga elementët kyç të kampionëve gjatë sezonit të fundit, duke marrë përsipër një peshë të madhe përgjegjësie pas largimit të Berishës dhe Olayinkas nga skuadra e Skënderbeut, shkruan Supersport.al.
Ashtu si çdo vit, organizatorët dorëzuan edhe çmimin “Fair Play” që shkoi për mesfushorin e Skënderbeut, Sabien Lilaj. Lideri i mesfushës së Skënderbeut është ndëshkuar me vetëm dy kartonë të verdhë gjatë këtij sezoni edhe pse ai ka një rol që e vendos përherë në duele të vështira.
Latifi më parë ka luajtur për skuadrën e Prishtinës, ndërsa ka dalë nga akademia e klubit kryeqytetas “2 Korriku”, e cila njihet për shkollën cilësore të futbollit.
Latifi luan me kombëtaren shqiptare të futbollit U-21, dhe pritet të vazhdojë edhe rrugën drejt kombëtares A.