Një gjykatë në Ganë vendosi që futbollisti i njohur nga ky vend, Asamoah Gyan (37 vjeç) duhet t’i japë ish-gruas Gifty dy shtëpitë e tij, dy vetura, si dhe pikën e karburantit që zotëron.
Është epilogu i një gjyqi që zgjati tri vjet, dhe mosmarrëveshja u zhvillua në lidhje me atësinë e tre fëmijëve. Gyan pretendoi se fëmijët nuk ishin të tij, por analiza e ADN-së vërtetoi të kundërtën.
Njëra shtëpi që do të marrë Giftyn është në Britaninë e Madhe, ku Gyan ka luajtur gjatë karrierës së tij futbollistike dhe tjetra është në Akra të Ganës, ku ka edhe një pikë karburanti.
U vendos gjithashtu që ish-sulmuesi i Sunderland, Udinese dhe Rennes duhet të paguajë 25,000 Cedis nga Gana (1,729 funte/1,965 euro) në muaj për fëmijët.
https://twitter.com/AdvoBarryRoux/status/1720120566173323464
Në fund, pavarësisht gjithçkaje, Gyan tha se nga e gjithë historia del fitues sepse përfundimisht anulohet martesa me Giftyn.
Kujtojmë se Gyan ishte drejtues i gjeneratës së madhe të kombëtares së Ganës në Botërorin e Afrikës së Jugut në vitin 2010. Më pas Gana arriti në çerekfinale të Kupës së Botës, ku u eliminua në ndeshjen e famshme kundër Uruguait pas një gjuajtje të penalltive.
Në atë Botëror, Gyan ishte në listën e ngushtë për futbollistin më të mirë të turneut, së bashku me Diego Forlan dhe Wesley Sneijder.
Megjithatë, Botërori përfundoi tragjikisht për Gyan, pasi humbi penalltinë në minutën e 120-të, pasi Luis Suarez shpëtoi portën e Uruguait me dorë dhe fitoi karton të kuq.
Në 107 ndeshje për ekipin kombëtar të futbollit të Ganës, Gyan shënoi 51 gola. /Telegrafi/