Ferizaj ishte një prej skuadrave me më së shumti lëvizje gjatë afatit kalimtar dimëror. Përveç që u larguan disa lojtarë, në këtë ekip u afruan zëvendësime dhe lojtarëve që u skaduan kontratat, iu vazhduan. Por, futbollistët e ardhur dhe atyre që i‘u vazhduan kontratat, ende nuk u janë dhënë parat e premtuara. Të gjithë lojtarët ishin mbledhur në stadium të mërkurën, ndërsa stërvitja nuk u mbajt, pasi që sipas tyre, e mërkura ishte afati i fundit për t’i marrë parat e kontratave.
“Sot (dje) ishim në stadium për të marrë paratë e kontratave, pasi që ende nuk i kemi marrë ato. Na u tha se do të bëhen nesër (sot), por ne vendosëm që të mos dalim në stërvitje pa u kryer obligimet ndaj nesh. Besoj që kryesia ka pasur kohë që të bëjë buxhetin dhe të na paguhen parat për të cilat edhe jemi marr vesh. Kjo do të vazhdojë deri sa t’i marrim parat. Mund të ndodhë që as në ndeshjen ndaj Llamkos Kosovës të mos e luajmë fare”, thonë disa nga futbollistët e Ferizajt që nuk deshën t’u përmendet emri. Ferizaj do të ndeshet të shtunën me Llamkos Kosovën në Vushtrri në kuadër të Kupës së Kosovës.
Ademi: Paratë i marrin sot, ‘luftojmë’ për trofe
Ndërsa, kryetari i klubit të Ferizajt, Ramadan Ademi e mohon faktin se skuadra është në bojkot dhe thotë se sot (dje) kishin një mbledhje, ku u fol për ndeshjen kundër Llamkosit. “Jo, nuk është se lojtarët janë në bojkot. Sot (dje) kishim një mbledhje me ta, ku u fol për ndeshjen me Llamkosin në formë analize. Është e vërtetë që lojtarët nuk i kanë marrë parat e kontratave, por do t’i marrin nesër (sot). Ne ju kemi thënë të gjithëve që të hapin nga një xhirollogari në BPB, pasi që parat nuk ua japim më në dorë. Parat do t’i marrin nesër (sot) lojtarët, pasi që ne nuk u kemi mbetur borxh askujt. Kemi paguar edhe rroga borxh që u ka mbetur kryesia e kaluar”, tha për ‘Sport Plus’, kryetari Ademi.
Ai nënvizoi se skuadra është përgatitur shumë mirë dhe do të vazhdojnë të jenë pretendent për trofe. “Skuadra ka qenë në përgatitje, ku ka punuar mjaft mirë. Jemi përgatitur për këtë kampionat dhe besoj që do të luftojmë për ndonjë trofe”, përfundoi kryetari Ademi. Ferizaj stinorin pranveror të Superligës e nis nga pozita e dytë me 28 pikë. /SportPlus/Telegrafi/