Telegrafi

Futbollistët dhe trajneri serb të Slovan Bratislavës dorëzohen para presionit, nuk pranojnë të luajnë ndaj Feronikelit

Feronikeli do të përballet të mërkurën me Slovan Bratislavën në takimin e vlefshëm për raundin e dytë të Ligës së Evropës.

Komiteti i Futbollit të Serbisë ka kërkuar gjatë ditës nga Slovan Bratislava që dy lojtarët serbë të skuadrës Dejan Drazic dhe Aleksandar Cavric të mos luajnë kundër Feronikelit.

Mësohet se këta dy futbollistë kanë vendosur që t’i binden këtij vendimi dhe klubi është pajtuar.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi sllovak nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare. 

“Lojtarët Aleksandar Cavric dhe Dejan Drazic dhe trajneri Vladimir Radenkovic e respektuan vendimin e komitetit serb në lidhje me ndeshjet ndaj Feronikelit”.

“SK Slovan respekton vendimin e lojtarëve dhe të trajnerit, kështu që, Cavric, Drazic dhe Radenkovic nuk do të përfshihen në dy ndeshjet ndaj Feronikelit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e klubit.

Ndeshja mes Slovan dhe Feronikelit fillon në ora 18:00. /Telegrafi/