Ditë më është ndarë nga jeta futbollisti i njohur nga Kosova me pasaportë suedeze, Labinot Harbuzi.
32-vjeçari pati atak kardiak dhe nuk mundi t’i bënte ballë duke u larguar përgjithmonë nga kjo botë.
E ish-futbollistin nga Peja e ka nderuar ish-klubi i tij Malmo dhe tifozët.
Po zhvillohej derbi i javës në kampionatin suedez mes Malmos dhe Hammarby kur në minutën e 23-të iu dha lamtumira e fundit nga klubi Labinot Harbuzit.
Pejani kishte bartur numrin 23 sa ishte pjesë e Malmos dhe pikërisht në këtë minutën mbi 22 mijë tifozë të pranishëm në stadium u ngritën në këmbë.
Tifozët dhe lojtarët me lot në sy duartrokitën gjatë për Labinotin dhe karrierën e tij duke e nderuar atë.
Ishte rezervuar një vend i veçantë në stadium ku fillimisht lojtarët para fillimit të ndeshjes por edhe tifozët vendosnin lule për të.
Nuk mungonte edhe një shall i Shqipërisë për të treguar nacionalitetin e Labinotit.
Harbuzi ndërroi jetë më 11 tetor pas një sulmi në zemër.
Shqiptari nga Kosova përveç Malmos kishte luajtur edhe për Feyenoordin, Genclerbirligin, Manisasporin e Syrianskan.
Kujtojmë që Labinoti kishte luajtur për të gjitha grupmoshat e Kombëtares së Suedisë. /Telegrafi/