Kjo për faktin se organizimi në futbollin kosovar nuk është kërkah dhe çdo herë po ia humb interesimin atij. Kështu është shprehur Nexhmedin Haxhiu, menaxher dhe njëherësh kryetar i KF Trepça. Haxhiu këto ditë është duke qëndruar në Shqipëri, për të negociuar rreth ndonjë transferi eventual. “Jo, jo për momentin nuk jam duke u marrë me atë punë. Këta në Shqipëri po bëjnë investime të mëdha dhe po kërkojnë cilësi dhe tek ne nuk ka cilësi. Po e gënjejmë vetën kur themi se kemi futbollistë për jashtë, kinse kemi cilësi, e në fakt nuk kemi asgjë”, tha Haxhiu duke shtuar se më këtë ritëm, me këtë organizim dhe me këtë punë jemi kah e dërgojmë futbollin drejtë humnerës.
“Është një punë totalisht e paorganizuar. Nuk mund të krijosh futbollistë për të transferuar jashtë kur kampionatin e ke shumë nën nivel nga të tjerët. Pastaj puna më të rinj është shumë e mangët. Shtetet tjera po ecin përpara, po investojnë nëpër infrastrukturë, e ne po stagnojmë kjo edhe ndikon që askush mos të jetë i interesuar për tregun tonë”, vlerësoi Haxhiu, i cili më pas ka folur edhe për klubin e tij Trepçën dhe punimet në stadiumin “Adem Jashari”, që ka mbetur në gjysmë.
Ditë më parë futbollisti kryesor i kësaj skuadre Emin Baliqi ka kërkuar nga klubi përforcime, ndryshe ai do të shqyrtojë mundësinë e largimit, pasi që nuk pranon që Trepça të largohet nga elita. Haxhiu ka thënë se është duke punuar në një projket për shpëtim, por mbetët të shihet në vazhdim se çka do të ndodhë. “Për momentin nuk ka asgjë të re sa i përket klubit të Trepçës. Futbollistët janë në pushim, ndërsa unë jam duke u angazhuar për të bërë një gjë shumë të mirë. Tash për tash nuk mund të flas për detaje, por do të ketë risi dhe do të krijojmë një skuadër shumë të mirë”, tha Haxhiu, sipas të cilit një pjesë e fajit pse klubi po kalon nëpër këtë situatë është edhe i institucioneve kosovare.
“Na kanë mbytur më atë stadium. Fillimisht u nis mirë, tash sillen kah 2-3 vet asajde dhe nuk janë duke bërë asgjë. Është keq për një vend që nuk investon në infrastrukturë. Nuk kemi pasur si të jemi më mirë duke luajtur në një fushë tjetër, duke mos pasur mundësi të pastrohemi as pas stërvitjeve. Neve si klub na ka dëmtuar shumë ky stagnim i punimeve. Po shpresojë se pas vitit të ri do të bëhet diçka”, tha në vazhdim numri një i “xehetarëve”.
Në anën tjetër kur është fjala për cilësi, duket se bie ndesh me ish bashkëpunëtorin e tij Ismet Munishi. Në një deklaratë për gazetën tonë, Munshi ka vlerësuar se futbolli ynë ka cilësi, madje sipas tij në skuadrën e Llamkos Kosovës ka lojtarë shumë kualitet që do t’i shet jashtë vendit, madje jo në kampionatin shqiptar por në ato shumë më të mëdha, sepse cilësia e tyre nuk përkon me pagesën që bëhet në Shqipëri. Tash mbetët të shihet pas afatit të janarit nëse do të arrijmë të transferojmë ndonjë lojtarë apo jo. /Zëri/Telegrafi/