Site icon Telegrafi

“Futbolli është luftë”, e Serbia sërish e fitoi atë

Pasi Ushtria serbe u tërhoq nga Kosova më 1999, në mediat serbe qarkullonin barsoleta të shumta për mënyrën se si i raporton ngjarjet politike televizioni publik serb, RTS. Kështu, në një nga këto barsoleta, në një garë vrapimi mes presidentit amerikan Bill Clinton dhe atij serb Sllobodan Millosheviq, vendin e parë e zuri Clinton. Por, RTS këtë lajm në këtë mënyrë do ta pasqyronte: “Presidenti ynë Millosheviq zuri vendin e dytë, ndërsa Clinton ishte i parafundit”!

Këto barsoleta ishin interpretim i psikologjisë nacionaliste të një populli që e glorifikon humbjen dhe i beson gënjeshtrës. Këtë madje e ka pranuar babai i kombit serb, Dobrica Qosiq.

“Gënjeshtra është pikëpamje e patriotizmit tonë, dhe dëshmi e inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë me kreativitet, me imagjinatë, me novacion”, ka thënë dikur Qosiq.

Këtë rezon tipik serb të besimit në gënjeshtra, të projektimit të së vërtetës që shpesh përdoret si “armë” antiserbe, fatkeqësisht shqiptarët e kanë injektuar vet në psikologjinë e tyre. A nuk është shembull për këtë humbja në futboll e Kombëtares shqiptare nga Serbia, në “Elbasan Arena”, në Shqipëri?

Nuk duhet të jesh ekspert sporti të dish se në futboll me rëndësi është fitorja në fushë. Por, shqiptarët nga humbja u ndien fitimtarë, sepse u treguan “evropianë”? Madje më evropianë se holandezët?

Pse?

Gjatë okupimit nazist të Holandës, ndodhi një nga hajnitë më të mëdha në histori: nazistët konfiskojnë të gjitha biçikletat e holandezëve. Por, edhe sot, në çdo ndeshje futbolli mes Holandës dhe Gjermanisë, holandezët nuk e harrojnë të kaluarën, ndaj brohorasin: “Ik wil mijn fiets terug” (Kthemani biçikletën). Sepse, siç ka thënë futbollisti dhe trajneri holandez, Rinus Michels, “futbolli është luftë”. E, këtë luftë ndryshe e bën sot Unioni Evropian, një konglomerat popujsh nacionalistë që luftërat i vazhdojnë ende në forma tjera – me sport, kulturë e zhvillim ekonomik. Sepse, lufta për superioritet nuk shuhet kurrë tek këta popuj.

Për dallim nga këta evropianë të vërtetë, shqiptari shitet internacionalist duke e perceptuar nacionalizmin si primitivizëm, duke mohuar të kaluarën e të tashmen, e madje edhe identitetin kombëtar!

Kështu, para se të zhvillohej ndeshja Shqipëri-Serbi në “Elbasan Arena”, në Galerinë Kombëtare të Arteve, në bashkëpunim me Ambasadën serbe në Tiranë, hapet ekspozita për “humbjet e Ushtrisë serbe në tokat shqiptare më 1915”. Fjala është për atë që serbët e quajnë “Golgota shqiptare”, ku Ushtria serbe pëson humbje nga gjermanët, austriakët e bullgarët dhe kalon në Selanik përmes tokave shqiptare. Më 25 nëntor 1915, Ushtria serbe tërhiqet përmes Pejës, Gjakovës e Prizrenit për në Shkodër, e pjesa tjetër përmes Dibrës e Strugës për në… Elbasan! Kudo që shkelën ata – në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni e në Shqipëri – bënë masakra ndaj shqiptarëve.

Por, në Shqipëri u përmendën 200 mijë jetë të humbura të serbëve në malet dhe moçalet shqiptare. Kështu, Shqipëria u projektua si varr masiv serb, e që sipas mitit të Serbisë së Madhe – “ku ka varre serbe, ato janë toka serbe”!

Pas kësaj ekspozite “miqësie”, vazhdoi terrori tjetër psikologjik për ndeshjen Shqipëri-Serbi, se nuk duhet të ketë asnjë provokim, deri në masën e një barsolete për ndalimin e hyrjes së tifozëve në stadium me arsyetimin se “ke gurë në veshkë”! Aty nuk kishte vend për grupet e tifozëve nga Kosova e as për krerët e institucioneve të Kosovës. Sepse, Kosova është “provokim”!

“Kujdesi” ishte aq i madh, sa që edhe fitorja perceptohej si diçka negative. Prandaj, u vërtetua në fund se synohej vetëm barazimi. Kështu u tjetërsuan moralisht e psikikisht edhe lojtarët që nuk u trembën ndaj terrorit serb midis Beogradi.

Serbët, pos gënjeshtrave historike për Betejën e Kosovës të vitit 1389, e glorifikojnë këtë humbje duke besuar se gjoja mbreti serb Llazar me qëllim e sakrifikoi mbretërinë tokësore për të siguruar mbretërinë hyjnore për të dhe për popullin e tij. Nga ky mit ata besojnë se janë “popull hyjnor”! E, Edi Rama e sakrifikoi krenarinë kombëtare për Shqipërinë “evropiane”! Por, në Evropë nuk ka vend për inferiorët! Ndërsa, për dallim nga serbët, ai nuk fitoi asgjë.

Në ndërkohë, këndej dhe andej kufijve shqiptaro-shqiptar, të gjithë jetojnë në eufori e në gënjeshtra pa bërë asgjë për ta çuar kombin para. Ngushëllim janë këngët me sharki, apo se Amerika e sjell shpëtimin e ndoshta edhe fitoren në futboll. Tash ngushëllim është edhe “evropianizmi”, pa çka që qytetarët e vendeve ku sundon shqiptari duan të ikin drejtë evropianizmit real?! Dëshmi për këtë është edhe propaganda para ndeshjes, që pasqyron paaftësinë e shtetit shqiptar për të bërë rend në rast të ndonjë eksesi eventual, dhe pasqyrimin e shqiptarëve – përmes këtij “kujdesi” – si njerëz të armatosur, të dhunshëm e primitivë!

Fitorja e Shqipërisë nuk do ta ndryshonte realitetin e hidhur ku jetojnë shqiptarët. Edhe në rast të fitores, ata sërish nesër do të ishin të varfër, të papunë, e të nëpërkëmbur. Megjithatë, kjo fitore do të kishte rëndësi, sepse është “luftë” kundër Serbisë, kundër stereotipave të këtij shteti se i mundin gjithmonë shqiptarët në luftë, në tavolina, e në fusha sportive…

Por, në fund, serbët fituan. Ata u treguan luftëtarë të zotë edhe në këtë “luftë” për kombin e tyre. Ndërsa, shqiptarët e humbën edhe një shans kundër Serbisë, si shumë të tjera… Ata u mundën dhe ky është rezultati final! Kaq.

 

Exit mobile version