Site icon Telegrafi

Futboll, Prishtina në stilin e kampionit

Fitoren më të thellë e arriti Prishtina, e cila deklasoi Besën me rezultat 5-1. Kryeqytetasit dominuan gjatë gjithë takimit, ndërsa pejanët mbase patën prezantimin më të zymtë në këtë edicion. Me pak fat prishtinasit kanë mundur të shënojnë fitore edhe më të thellë. Besa në këtë takim nuk ishte as rival për Prishtinën.

Pretenduesit për titull, Trepça’89 dhe Vëllaznimi, shënuan fitore minimale, por shumë të rëndësishme për ta mbajtur hapin për titull. Vëllaznimi mundi Hysin (2-1), ndërsa Trepça ’89 – Dritën (3-2). Pas këtyre humbjeve gjasat e Hysit dhe Dritës për kampion janë minimale .

Pikë shumë të rëndësishme inkasoi Trepça, e cila mundi KEK-un (2-1). Me këto pikë të reja ‘minatorët’ i shtuan gjasat për t’i ikur edhe vendit të barazhit, ndërsa për mysafirët gjasat për mbijetesë janë vetëm teorike.

Fitore të rëndësishme shënoi Liria që lehtë dhe bindshëm mposhti Gjilanin (3-1). Prizrenasit pas këtij suksesi janë me të relaksuar, ndërsa për Gjilanin kjo ishte edhe një goditje që e shpie me një këmbë në rang më të ultë të garave.

Drenica pa problem mundi Lepencin (3-0) . Nikoqirët e arsyetuan epitetin e favoritit ndërsa mysafirët epitetin e skuadrës së rrezikuar për mbetje në shoqërinë elite.

Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe katër xhiro. Në tabelë prin Prishtina me 56 pikë, para Trepçës’89 me 54 pikë dhe Vëllaznimit me 53 pikë.

Në dy pozitat e fundit klasifikohen Gjilani me 23 pikë dhe KEk-u me 25 pikë. Për t’i ikur ndeshjes përcaktuese për mbetje në elitë po luftojnë Trepça, Lepenci, Liria e deri diku edhe Drenica. /Telegrafi/

Exit mobile version