Ky kamp që është i pesti më radhe, e që po mbahet në ‘Agron Rama’ të Kastrioti, ka grumbulluar 144 futbollistë nga 7 rajone të Kosovës.
Pjesëmarrësit e kampit në emër të FFK-së i përshëndeti dhe u uroi suksese gjatë këtyre ditëve, sekretari i përgjithshëm i FFK-së z. Eroll Salihu.
Me këtë rast sekretari Salihu foli për rëndësinë e këtij kampi dhe për angazhimin e FFK-së për grup-moshat e reja.
“FFK-ja do të bëjë çmos që të krijohen mundësi dhe kushte për zhvillimin e të gjitha grup-moshave e veçmas U-15 që llogariten edhe themelet e një përfaqësueses të një shteti”, ka thënë Salihu.
Në kamp po marrin pjesë edhe futbollistë U-15 nga diaspora. Para ditë janë zhvilluar 2 ndeshje, ndërmjet Prishtina 1-Prizreni dhe Prishtina 2-Mitrovica.
Ndërkaq pas dite do të zhvillohen edhe tri ndeshje dhe do të takohen: Peja-Gjilani, Ferizaj-Gjakova dhe Prishtina 1-Prishtina 2.
Kampi po zhvillohet nën mbikëqyrjen e kryetarit të shoqatës së Trajnerëve, Ajet Shosholli, përzgjedhësit të përfaqësueses “A” të Kosovës, Albert Bunjaku, ndihmësve të tij Muharrem Sahiti dhe Ahmet Beselica si dhe trajnerëve të rajoneve të futbollit të Kosovës. /KP/Telegrafi/