Site icon Telegrafi

Futboll, 27 gola në gjashtë takime

Publiku në Merdarë në pjesën e dytë demoloi ulëset e tribunës të revoltuar, jo pse shënonte gola Prishtina, porse pse Hysi pësonte aq lehtë dhe shpejtë. Në pjesën e dytë, Hysi nuk i ngjasonte kampionit, ndërsa as Prishtina skuadrës së madhe.

Prishtina mundi Hysin me rezultat 3-2 në derbin, i cili do të kishte qenë mirë të harrohet sa më shpejtë.

KEK-u në Kastriot, pësoi gjashtë gola nga Lepenci, por i shënoi pesë. Sikur këto dy skuadra të shënonin kaq shumë gola, shpejtë dhe lehtë gjatë këtij kampionati sigurisht se nuk do të ishin në pozita aktuale në tabelë – KEK-u pa gjasa për të mbijetuar. ndërsa Lepenci në rrugëtimin e vështirë për t’i ikur barazhit.

Gjilani pësoi edhe një humbje këtë herë u deklasua nga Trepça, 4-0. Gjilanit i mungoi motivi apo ndoshta Trepça u motivua nga Gjilani për të qenë kaq efikase.

Besa mundi Lirinë (3-1). Pjesa e parë u takoi mysafirëve, ndërsa nikoqirëve e dyta. Me këtë fitore Besa e qetë vazhdon kampionatin, ndërsa Liria me shumë brenga e pret rrjedhën e përfundimit të kësaj maratone.

Trepça’89 me shumë mund shënoi fitore në duel me Drenicën, 2-1. Me këto tri pikë minatorët mbeten thuajse i vetmi konkurrent i Prishtinës për titull të kampionit.

I vetmi duel që përfundoi pa gola ishte Drita-Vëllaznimi. Skuadrat luajtën pa ngarkesë për rezultat duke u kënaqur me ndarjen e pikëve.

Në tabelë prin Prishtina me 59 pikë, para Trepçës ’89 me 57 pikë dhe Vëllaznimit me 54 pikë. Gjilani dhe KEK-u në edicionin e ardhshëm do të garojnë në rang më të ulët të garave. Për t’i ikur barazhit deri në fund do të luftojnë Trepça, Liria, Lepenci dhe Drenica. /Telegrafi/

Exit mobile version