Në një konferencë për media, Qena tha se është nder dhe guxim i madh që është përcaktuar për një tekst të tillë.
“Unë kam marr guximin të inskenojë një vepër të Kukajt, edhe pse asnjëherë s’e kam sigurinë e plotë se do të arrij nivelin e tekstit të tij. Rifat Kukaj është një shkrimtar jashtëzakonisht i mirë për fëmijë, që ne si shoqëri, ndonëse e njohim, ende nuk e kemi arritur ta zbulojmë si duhet. Rifat Kukaj është për mua një thesar i pazbuluar”, ka thënë ajo.
Në këtë shfaqje do të luajnë dy aktore të reja, Molikë Maxhuni dhe Adelina Xharahu, të cilat për herë të parë do të ballafaqohen me publikun e përbërë nga më të vegjlit.
“Kam pas fat që jam takuar me dy aktore të reja. Ato kanë dashurinë, përkushtimin dhe talentin që të punojnë me kukulla, pasi në fakultet nuk e kanë mundësinë t’i mësojnë këto. Në shfaqje ka pjesë ku kam futur edhe narracione, sepse nuk kam dashur ta prishi bukurinë e tekstit – burimor, i pastër e jashtëzakonisht piktoresk. Nëse e lexoni këtë tekst, para syve e sheh bukurinë që e përshkruan shkrimtari”, shtoi Qena. /Telegrafi/