Kompromis i dhimbshëm dhe kohë e keqe për Kosovën, sot kur Rezolutën 1244 po e kontrabandojnë në Fusnotën 1244. Serbia po e fiton një argument tjetër, pas banalizimit të Rezolutës 1244. Po e fiton fusnotën. Kosova po e devalvon dukshëm 17 Shkurtin e vitit 2008 dhe Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Kungji i Nastradinit është figurë e huazuar nga anekdotat therëse, por me shumë mesazhe, që i sjellë ky personazh i tyre. I kemi parë të shkruara, por edhe i kemi dëgjuar, shpeshherë. Nastradin Hoxha ia kishte shitur një personi shtëpinë me të gjithë pasurinë përqark – me oborr, ara e livadhe… Por, nuk ia kishte shitur vetëm një kungj, të cilin e mbante të varur në brendi të shtëpisë. Palët ishin marrë vesh: kungji do të jetë përherë i Nastradinit. Ky i fundit, sërish, vite me radhë, çdo ditë hynte e dilte në shtëpinë që e kishte shitur. Pa leje të pronarit të ri. E varte në kungjin e tij ndonjë rrobë të veten – pallto, setër e çkado. Të nesërmen, e merrte njërën dhe e varte tjetrën. Dikur, i zoti i shtëpisë mërzitet me hyrje-daljet e Nastradinit dhe i thotë: Merri të gjitha – shtëpinë e tërë pasurinë. Pronari i ri, pa fjalë të tjera, heq dorë nga shtëpia. Nastradini e rikthei sërish pronën e vet, plus i ruajti paratë, për të cilat e kishte shitur.
E kam përdorur këtë figurë dikur, në disa shkrime, duke iu referuar manastireve ortodokse në Kosovë, të cilat Beogradi synonte dhe synon t’i përdorë përherë si kungj Nastradini. Dhe kështu po ndodhë. Tadiqi dhe IQ-ët tjerë të Beogradit zyrtar, me mjekrra, kravata e pa to, sa herë që duan i vizitojnë ato, pavarësisht se manastiret i takojnë një shteti tjetër – Republikës së Kosovës. Dokumente e marrëveshje, të shkruara të pashkruara, nuk po ua ndalojnë këtë.
Manastiret Ortodokse në Kosovë, Serbia i shndërroi në kungje të vetat politike, dhe po i përdorë kështu. Dhe kështu do t’i trajtojë e shfrytëzojë gjithmonë, derisa politika zyrtare e Kosovës do të vazhdojë ta shtrijë qafën e të bëhet urë e çfarëdo kompromisi në dëm të Kosovës, vetëm e vetëm për t’i ruajtur sulltanatet e veta.
Për të mos e lënë me kaq, këto ditë, në emër të kompromiseve të tilla, Republikës së Kosovës po synojnë t’ia fusin edhe një kungj tjetër, tash në letër, në dokument – fusnotën e famshme. Një shenjë të vogël mbi emër, që do t’i bëjë sherr të madh shtetit tonë në të ardhmen.
Këtë nuk po e thonë vetëm politikanët, sa për ta bërë opozitën apo sfiduesin, por edhe ekspertët e shquar të kësaj fushe. Që të gjithë, argumentueshëm folën e po flasin për dëmet e mëdha që do t’i bartë për Kosovën, fusnota e vogël. Ky pranim, ky dakordim, flet edhe një herë për qafështrirjen e gjatë, ndër vite, të një pjese të politikës në Kosovë. Tek e fundit, kjo do të mbetet vetëm dakordim i një personi apo një ekipi rreth tij, por jo edhe pajtim i popullit dhe qytetarëve të Kosovës.
Lufta për liri e popullit të Kosovës, është fusnota më e rëndësishme, që nuk përmendet në dokumente dhe nga e cila varet apo do të orientohet edhe në të ardhmen fati i vendit dhe i popullit tonë.
Fusnotat e tilla sigurisht se nuk mund të kenë pasoja me fatalitet për popullin tonë, por mund të na kushtojnë me humbje kohe e vitesh të shumta, në të ardhmen, për ta hequr atë kungj Nastradini mbi emrin e Kosovës, në kohën kur Serbia, mbase para nesh do jetë pjesë e Evropës së Bashkuar, në kohën kur Serbia do të jetë në pozicion shumë më të favorshëm se ne, politikisht e diplomatikisht. Fajtorët e sotëm mund të jenë të pensionuar nesër, kur kungji me fusnotë do t’u nxjerrë telashe të tjerëve.
Sigurisht se askush nuk e ka në dorë komandën Ctrl-Alt-Delete, për ta fshirë këtë fusnotë, të cilën e shpiku në kohë të liga dhe plot lëmsh nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Do të duhet kohë për ta hequr. Kohë dhe mund, madje më shumë se sa për ta shbarrikaduar veriun e lodhur të vendit tonë, apo për t’i shpëtuar copat tjera të shtetit tonë, të cilin po e hanë përditë e nga pak, vendas e të huaj.
Kompromis i dhimbshëm dhe kohë e keqe për Kosovën, sot kur Rezolutën 1244 po e kontrabandojnë në Fusnotën 1244. Serbia po e fiton një argument tjetër, pas banalizimit të Rezolutës 1244. Po e fiton fusnotën. Kosova po e devalvon dukshëm 17 Shkurtin e vitit 2008 dhe Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ata që e pranuan këtë, nëse nuk janë naivë të skajshëm politikë, atëherë janë djaj të vërtetë të politikës, apo, së paku aventurierë të kauzës që janë të thirrur ta përfaqësojnë.
(Autori është zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës)