Është duke u bërë shumë zhurmë lidhur me fusnotën e bazuar në Rezolutën 1244. Aq zhurmë sa që shumica e popullit në Kosovë kanë rënë në konfuzitet të plotë duke mos e kuptuar se çfarë është duke ndodhur realisht me shtetin e Kosovës. Ata mendojnë se fusnota e bazuar në Rezolutën 1244 është popullsia e përhershme e Kosovës, territori, pushtetit sovran, se fusnota është aftësia e shtetit për të hyrë në marrëdhëniet ndërkombëtare, se fusnota është GJND-ja, se fusnota është e tërë bashkësia ndërkombëtare, se fusnota eliminon të gjitha njohjet e shteteve që e kanë njohur Kosovën, se fusnota është vetë shteti i Kosovës, me një fjalë se fusnota e fshinë shtetin e Kosovës nga faqja e dheut!
I tëri ky konfuzitet është bërë nga destruktiviteti banal i opozitës, duke u munduar që të fitojnë poena politik. Opozita është e natyrshme të kritikojë, por kritikat duhet të jenë racionale dhe të bazuara në fakte. Po ashtu, duhet të jepen edhe alternativa. Në fakt, opozita është duke bërë në përgjithësi politikë iracioanle dhe paalternativa, kështu që e ka shndërruar vetën në destruktivitet banal. Fusnota absolutisht nuk do të thotë asnjëra nga ato lartë, që do të thotë se shteti Kosovës nuk varet nga fusnota e bazuar në Rezolutën 1244.
Për mendimin tim, nëse duam të jemi racional, në rrethanat që gjendet shteti i Kosovës, fusnota nuk luan absolutisht kurrfarë roli si në rrafshin politik po ashtu edhe në rrafshin teknik, kur dihet që i pari i paraprinë të dytit. Fusnota nuk është tjetër përveç asaj kur dikush i drejtohet, referohet apo bazohet në diçka.
Serbia i referohet fusnotës e bazuar në Rezolutën 1244 për të propaganduar dhe pretenduar t’i kthehen kompetencat në Kosovë. Ky është vetëm një marketing politik i saj në sy të nacionalizmit serb. Njëherit, marketingun politik është munduar ta përdor që shteti i Kosovës të bie në kurthin e saj përkatësisht të mos marrë pjesë në konferenca rajonale, dhe kështu Kosova të del para bashkësisë ndërkombëtare si stagnuese e proceseve demokratike në Ballkan, respektivisht e integrimeve evropiane. Tentim i Serbisë për ta izoluar Kosovën. Dhe e kundërta, sipas opozitës dhe disa analistëve, Kosova nuk duhet të pranojë të marrë pjesë në konferencë nëse Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare i referohet rezolutës në fjalë, sepse automatikisht e kthehem prapa në vitin 1999.
Dua t’ia përkujtoj opinionit e Rezoluta 1244 është ratifikuar ekskluzivisht për ish-RFJ, që tashmë nuk ekziston, kështu që rezoluta në fjalë politikisht, dhe praktikisht nuk ekziston. Në anën tjetër, për vet bashkësinë ndërkombëtare fusnota e bazuar në Rezolutë 1244 nuk luan rol duke e ditur që ajo ishte e ratifikuar për një shtet tjetër. Kështu, bashkësia ndërkombëtare e ka përdorur rezolutën për t’i futur në kurthin e vet Serbinë dhe pesë shtetet e Unionit Evropian të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Sepse, edhe ato së bashku me Serbinë duhet të ulën në tavolinën e njëjtë si Kosova, që do të thotë se de facto e kanë njohur Kosovën. Sepse, vetëm si shtet mund të marrësh pjesë në konferencën në fjalë.
Bashkësia ndërkombëtare e di që në marrëdhëniet ndërkombëtare janë krijuar rrethana të reja, në të cilat RFJ nuk ekziston, ajo është e shpërbërë në disa shtete. Marrëdhëniet ndërkombëtare i paraprijnë të drejtës ndërkombëtare. Sipas së drejtës ndërkombëtare tashmë RFJ nuk ekziston, ajo është zhdukur si shtet, dhe se për të ky është fakt, siç është fakt që nga ajo krijesë e zhdukur janë krijuar shtete të reja, siç është edhe vetë Kosova. Prandaj, e drejta ndërkombëtare i përshtatet fakteve dhe jo e kundërta.
Duhet t’ia përkujtoj opinionit se edhe në të kaluarën kishte raste kur shtetet nuk e kanë njohur njëra -tjetrën për shkaqe kryekëput politike: Britania e Madhe nuk e ka njohur SHBA-në për shtatë vjet rresht, pastaj Holanda nuk e njohur Belgjikën nëntë vjet, apo Vatikani nuk e njohur Izraelin deri në vitin 1994 etj.
Unë mendoj shteti i Kosovës me këtë veprim nuk ka rënë në kurthin e Serbisë, dhe se ka bërë një hap drejt integrimeve evropiane. Ky hap do të rezultojë pozitivisht si në aspektin politik, demokratik, ashtu edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik të shtetit të Kosovës. Jam i bindur se ky shekull është i shtetit tonë dhe i gjithë shqiptarëve. Jam i bindur askush nuk mund të na ndal më që të jemi faktor kryesor në Ballkan. Dhashë Zoti mos ta pengojmë vetveten për interesa banale, të cilat do t’i ngadalësonin proceset.
(Autori është studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare)