Fondi i varfër i lojtarëve nga pjesa vjeshtore është dobësuar edhe më shumë pasi disa nga futbollistët më të dalluar tashmë janë larguar, ndërkohë që ka paralajmërime se mund të largohen edhe të tjerë. Kështu, Fuad Karabegu, Triumf Shabani e Alban Shillova tashmë kanë gjetur skuadra të reja, kurse edhe portieri Flamur Neziri po kërkon skuadër të re në Shqipëri dhe ka pak gjasa që edhe në vijim të kampionatit të mbetet pjesë e Fushë Kosovës.
“ Kam njohuri për fondin e lojtarëve, por nuk kemi çka të bëjmë, do të mundohemi që gjatë këtij afati të përforcohemi, edhe pse dihet që në këtë afat ka pak futbollistë të lirë. Kemi premtime nga drejtuesit e klubit se do të angazhohen për përforcime, por që shumëçka varet nga buxheti i klubit”, tha Sami Sermaxhaj, i cili shpreson se gjërat do të përmirësohen pasi për këtë nuk mungon vullneti i drejtuesve të klubit.
“ Vërehet një mobilizim nga drejtuesit e klubit, të cilët premtojnë ndihmë, kështu që së bashku me futbollistë, por edhe tifozët “Pampurat” për të cilët dihet se e duan klubin shumë, do të mundohemi të arrijmë maksimumin. Natyrisht se sigurimi i ekzistencës është dëshira dhe synimi më i madh, por jemi të vetëdijshëm se kjo nuk arrihet lehtë, për faktin se kemi pak pikë dhe gjendemi në pozitën e fundit në tabelë”, shprehet kryetrajneri i ri i Fushë Kosovës, Sami Sermaxhaj.
Sa i përket përgatitjeve për vazhdimin e kampionatit dhe mundësitë që një fazë e tyre të kryhet jashtë vendit, Sermaxhaj thotë: “Nuk e di ende se a do të shkojmë jashtë vendit, pasi kjo nuk varet nga unë. Kuptohet se përgatitjet në vende të përshtatshme klimatike janë të domosdoshme, por çdo gjë varet nga buxheti i klubit”.
Fushë Kosova nga 17 ndeshjet e vjeshtës ka tubuar 12 pikë, kurse në ndeshjen e parë pranverore në Fushë Kosovë takohet me Besën e Pejës. /Zëri/Telegrafi/