Telegrafi

Fushë Kosova ende pa ujë, kryetari Berisha: I pari do të jem në protestë (Video)

Banorët e Fushë Kosovës po përballen me mungesën e ujit të pijshëm, e autoritetet komunale po fajësojnë të tjerët për mos realizimin e projektit.

Zeqir Sekiraqa nga Fushë Kosova, i cili tash e 10 vite ka hapur bunar në oborrin e shtëpisë së tij, është detyruar të bëjë një zgjidhje të këtillë për ujë pasi që rrjeti i ujësjellësit ende nuk përfshinë disa lagje të këtij qyteti.

“Ka 10 vite që kam hapur bunarin, sepse po ka mungesë të ujit”, thotë banori Zeqir Sekiraqa.

Për mos përfundimin e projektit, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, fajin po e hedh tek organet e tjera.

Kryetari bëri të ditur se nëse në një afat të shkurtër kohor nuk bëhet një zgjidhje, do të jetë vet ai që do t’i prijë protestës.

“Uji është, projekti është, traseja se nga do të shkojë traseja është, mungon vullneti politikë, ka munguar edhe para disa muajve por edhe para një viti. Ka papërgjegjësi totale edhe e kësaj qeverie edhe e së kaluarës. Nëse do të dalim në protesta, unë do të jam i pari”, shprehet për RTV Dukagjinin, kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha.

Sipas kryetarit, ai ofroi edhe alternativa tjera për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ne kemi ofruar 160 mijë euro vitin e kaluar, por edhe ajo nuk bëri punë”.

Këtë vullnet të kryetarit nuk e mohoj kryeshefi i ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu. Por ai thotë se projekti do të finalizohet shumë shpejtë.

“Vitin e kaluar ka pasur edhe një vullnet nga kryetari Berisha, por ka qenë e pamundur të kompletohen fondet. Kam pasur një takim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik edhe të Financave. Ky projekt do të merr drejtimin e duhur dhe do të fillojmë me realizimin e tij”, deklaroi Ilir Abdullahu.

Projekti “Shkabaj” ka të përfshira tre palë, shtetin gjerman, komunën dhe qeverinë.

Ai ka filluar në vitin 2010, dhe është cilësuar si një nga investimet më të mëdha në furnizimin me ujë të pijes./Telegrafi/