Telegrafi

Fushë futbolli dhe park i lodrave në Obiliqin e Vjetër

Deponia ilegale e Komunës së Obiliqit të Vjetër, të mërkurën ka marrë një pamje krejt tjetër. Fusha sportive dhe parku i lodrave të rrethuara me hapësira gjelbëruese i kanë dhënë një pamje të re qytetit.

Krejt kjo është bërë falë përkushtimit dhe investimit të komunës për hapësira rekreative gjelbëruese. Për të uruar qytetarët në hapjen e parkut, mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, i cili tha se ky projekt është mesë i nevojshëm për banorët e Obiliqit të Vjetër, pasi i mbulon kërkesat e banorëve të të gjitha moshave.

Gashi u shpreh se ky është vetëm njëri nga shtatë parqet që do të ndërtohen në komunën e Obiliqit, transmeton KosovaPress.

“Për gjendjen që ka qenë këtu nuk po flas. Por, tani ka ndërruar komplet pamja, është një bukuri që është ndërtuar pikërisht me buxhet të shtetit, por edhe me taksat tuaja komunale. Është një projekt me vlerë mbi 100 mijë euro, ku do të ketë pjesë rekreative për kalimin e kohës të lirë dhe të gjitha këto, unë me këta vocërrakët që i falënderoj më së shumti në këtë hapje, jemi marrë vesh që lojërat, parkun drunjtë dhe gjithë infrastrukturën kemi me e ruajtur për ta shfrytëzuar përherë. A kemi me e mbajt fjalën?”, ka thënë ai.

E ata që iu gëzuan më së shumti këtij parku padyshim se ishin të vegjlit, të cilët tash e mbas kanë se ku të kalojnë kohën e lirë. Kështu, Haris Hashani shprehi falënderimet e tij ndaj kryetarit Gashi, për ndërtimin e këtij parku.

“Faleminderit kryetarit të Obiliqit që na ka mundësuar këtë park kaq të mirë për fëmijët e Obiliqit. Ne jemi shumë të kënaqur”, ka deklaruar ai.

Edhe Betina Vitija përveç gëzimit që ndjen për parkun, shpreh edhe dëshirën e saj për ruajtjen e kësaj hapësinore.

“Mua më pëlqen shumë, kohën e lirë kam me e kaluar këtu. Shpresoj që ta ruajnë”, është shprehur ajo.

Për tetëvjeçaren Aela Slishani, rregullimi i këtij parku ka një rëndësi të veçantë: “Mua më pëlqen shumë se kom me luajtur me shokë e shoqe edhe kam me u kënaq”.

Ndryshe, ky projekt është investim i Komunës së Obliqit dhe ka kushtuar mbi 100 mijë euro.