Site icon Telegrafi

Zgjedhjet lokale, fushata zgjedhore kalon online

Fushatë online (digjitale) dhe jo tubime masive me qytetarë për zgjedhjet e 17 tetorit, që zyrtarisht ka filluar sot (e enjte, 16 shtator). Ky është synimi i partive opozitare në Kosovë.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thonë për Radion Evropa e Lirë se fushata zgjedhore duhet të orientohet më shumë në rrjetet sociale dhe forma të tjera, duke i ikur fushatës në terren, për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Arben Gashi, thotë se do t’i respektojnë masat kundër COVID-19 gjatë fushatës 30-ditëshe.

“Ne do të bëjmë 25 ditë fushatë online, në media sociale, në gazeta online, në televizione. Ndërsa do të bëjmë fushatë klasike në bazë të rekomandimeve të Institutit të Shëndetësisë Publike, vetëm pesë ditë”, thotë Gashi.

Derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që fushatën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ta kufizojë në pesë ditë. Kështu ka bërë të ditur Muharrem Nitaj nga kjo parti.

Nitaj thotë se janë përcaktuar që edhe këtë afat pesëditor të fushatës tradicionale ta zhvillojnë në përputhje të plotë me kriteret dhe rekomandimet për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Aleanca do të zbatojë modelin e fushatës digjitale, kjo nënkupton mënyrat e komunikimit që përmes formave të ndryshme që mundëson interneti, rrjetet sociale, mediat. Mirëpo edhe takime joformale që janë me individë të caktuar, me grupe të vogla”, thotë Nitaj.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ishte për shtyrje të zgjedhjeve. Arlind Manxhuka, zëdhënës i kësaj partie, thot se kanë dhënë qëndrimin e tyre për shtyrje të zgjedhjeve për shkak të variantit Delta dhe evitimit të një vale të re.

Ai nuk dha detaje sesi kjo parti do ta zhvillojë fushatën.

“Ne do të respektojmë me përpikëri udhëzimet e vendimet e institucioneve të vendit, veçanërisht atyre të shëndetësisë, sa i përket zhvillimit të fushatës”, thotë Manxhuka.

Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me formën e organizimit të fushatës.

Ditë më parë, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI), ka propozuar që fushata të mbahet në mënyrë online.

‘Partitë nuk do t’i respektojnë masat’

Anëtarë të shoqërisë civile dhe njohës të zgjedhjeve në Kosovë, dyshojnë se partitë politike do t’i përmbahen respektimit të masave që të mos organizojnë tubime masive me qytetarë, sikur në zgjedhjet e kaluara.

Ish-kryeshefi i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, thotë se për situatën specifike me pandeminë, në të cilën është Kosova, më shumë se kohëzgjatja, i rëndësishëm është formati dhe mënyra e të bërit fushatë.

Halimi thotë për Radion Evropa e Lirë, se fushatat përmes rrjeteve sociale, mund të jenë mjaft efikase,megjithatë sipas Halimit edhe në këto zgjedhje, partitë do ta ndiejnë të nevojshme që grupe të caktuara të popullsisë, t’i takojnë direkt në takime në hapësira të mbyllura.

“Ne jemi dëshmitarë se ndonëse jozyrtarisht, fushata ka kohë që ka nisur dhe sidomos në mjedise periferike vërehet grumbullim i madh njerëzish, që mund të përbëjë rrezik për shëndetin në të ardhmen. Partitë, sikur edhe obligimet e tjera të tyre – si financimin, transparencën, mënyrën e funksionimit etj – nuk do t’i zbatojnë me korrektësinë e duhur masat kundër COVID-19”, thotë Halimi përmes një përgjigje me shkrim.

Erblin Hoxha, koordinator i projekteve në Lëvizjen FOL, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të ndjekë trendin e fushatës online, që është zhvilluar edhe në vende të tjera të botës.

Sipas tij, mediat sociale janë prej bazave kryesore të komunikimit me qytetarë, ku ka edhe takime virtuale dhe diskutime për pjesën e programit dhe do një bashkëpunim më direkt.

Megjithatë, thotë Hoxha, ky lloj i fushatës nuk do të mund t’i parandalojë disa parti që të organizojnë aktivitete tradicionale me grupe të mëdha të njerëzve.

“Unë mendoj se do të ndodhin tubimet e mëdha përsëri, sepse e kemi një numër të madh të kandidatëve për asamble prej partive të ndryshme dhe unë besoj dhe jam i sigurt, që nuk e kanë aftësinë edhe kapacitetin që të zhvillojnë kampanja digjitale, ose nuk kanë njohuri specifike të platformës digjitale, ose nuk kanë buxhet specifik për të qenë më aktivë në mediat sociale”, thotë Hoxha.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për masat kundër COVID-19, në ambiente të mbyllura lejohet grumbullimi deri në 20 persona, por duke respektuar distancën prej 1.5 metrash.

Gjoba për personat juridikë, në rastet e shpërndarjes së virusit, është 2,000 euro.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), javën e kaluar i ka bërë kërkesë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që zgjedhjet lokale të 17 tetorit, të shtyhen për shkak të gjendjes me pandeminë dhe rastet e vdekjeve nga COVID-19.

Pas takimit që presidentja Osmani zhvilloi me partitë politike, për të diskutuar shtyrjen e zgjedhjeve, ku opozita kundërshtoi shtyrjen e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bëri të ditur që fushata zgjedhore do të jetë 30 ditë.

KQZ-ja ka kërkuar nga partitë politike që gjatë fushatës zgjedhore, t’i respektojnë të gjitha masat dhe kufizimet kundër sëmundjes COVID-19. /rel/

Exit mobile version