Site icon Telegrafi

Fushata ‘shpic’ e Vetëvendosjes

Nëntë (9) deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje emri iu fillon me shkronjën e parë të alfabetit “A”. Emri dhe mbiemri i plotë i tyre nuk është me rëndësi. Me rëndësi është se çfarë do të përfaqësojnë këta deputetë në Kuvend dhe në publik, alfabetin e gjuhës shqipe apo një lëvizje politike me ide të tjera nga ato që jemi mësuar t’i dëgjojmë? Nëse japim një vështrim bazuar në renditjen-listën e deputetëve të Vetëvendosjes (pjesë e së cilës isha edhe vet) dhe pasqyrimit të përgjithshëm të idesë së krijuar se çfarë mund të përfaqësojë Lëvizja Vetëvendosje, atëherë besojë që do të dalin disa përfundime të pazakonta. Nëse heqim Albin Kurtin, pra liderin, katër të tjerë pas tij edhe me shkronjën “A”, por edhe me numrin rendor (1,2,3,4) janë në Kuvendin e Kosovës për fatin e tyre që ua solli emri.

Ajo që dua të pyes është se a mjafton emri me shkronjën e parë “A” për të ofruar ose edhe bërë ndryshime në mënyrën dhe në sistemin tonë qeverisës? Ose, cili është bagazhi i këtyre deputetëve të ri, edhe për nga mosha, që mund të japin, ofrojnë dhe shpërndajnë në Kuvendin e Kosovës, por edhe tek institucionet e tjera qeverisëse, për të arritur tek qytetarët? Dua të them, të gjithë jetojmë në këtë vend dhe e dimë që situata nuk është mirë me qeverisje, por cili ose cilat mund të jenë ato propozime, edhe në letër, që këta deputetë mund t’i ofrojnë? Protesta është shëmbëlltyra më e mirë e shoqërisë, por këtu tashti flitet për tavolinë pune, pra për sistem. Pa paragjykime të parakohshme, përgjigjen do ta dimë me nisjen e punës së Kuvendit të ri.

Megjithëkëtë, si u bë që shkronja “A” të ketë rol afirmativ dhe përcaktues për hiç më pak se nëntë (9) deputetë nga 14 (katërmbëdhjetë) sa i ka gjithsej kjo Lëvizje në Kuvendin e Kosovës? Kjo, sipas meje, ka lidhje me organizmin dhe udhëheqjen e fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse fakti që udhëheqësi i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, (si pjesë administrative e LVV) nuk është në mesin e deputetëve të zgjedhur, derisa dy (2) janë deputetë të kësaj Lëvizje, krejt anonimë për publikun kosovarë, flet diçka.

Tërë fushata zgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje kryesisht u bazua në medie televizive. Udhëheqësit e kësaj Lëvizje kanë pasur, nëse mund të gjykojë, rolin e përfaqësimit të Lëvizjes. Kjo nuk është keq, por kandidatëve të tjerë u mbeti vetëm një gjë –të shikojnë edhe ata televizor. Për ilustrim, kandidatja-deputetja, Alma Lama, tërë ditën, dhjetë ditë para fushatës zgjedhore, 10 ditë gjatë fushatës zgjedhore dhe dhjetë ditë pas fushatës zgjedhore, ka ndenjur kryesisht në ekranin e televizionit “Rrokum” dhe “Klan Kosova”. Ndërsa udhëheqësit-kandidatët e tjerë kanë ndenjur nëpër ekranet e tjera televizive, në secilin emision të mundshëm, pa marr parasysh temën, ditën apo natën. Shpesh është fituar përshtypja që përfaqësimi jashtë kësaj skeme ka qenë i ndaluar. Ndërsa në terren, aktivistët kryesisht e kanë ditur se kah do të orientohet votuesi-vota. Trendi i tillë i përfaqësimit medial vazhdon të jetë i njëjtë, në media i shohim po ata kandidatë që kanë fituar vota të mjaftueshme për deputet.

Ashiqare, një numër i konsiderueshëm i votuesve të listës së Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pasur pëlqime personale për ndonjë deputet të caktuar. Dhe nga këtu, “nga vota kutrum” janë katër deputetë në Kuvendin e Kosovës pse janë renditur me numrin rendor 2,3,4,5. Dua të them, kjo praktikë nuk po dallon nga praktikat e tjera të partive të tjera politike. Edhe në LDK, edhe në PDK, edhe në AAK, edhe në AKR, pa marr parasysh se çfarë të ndodhë, janë 2-3 njerëz që flasin gjithmonë, për çfarëdo teme, në çdo mjedis, në çdo kohë, kudo, kurdo. Esenca është: a do të përfundojë edhe Lëvizja Vetëvendosje njëjtë sikurse partitë e tjera politike, por me metoda të tjera? Sipas meje, nëse ndiqet rruga që kjo Lëvizje ka nisur, atëherë përgjigja është “Po”. Neve, në anën e publikut, na mbetet vetëm “me këqyr sahatin”.

Exit mobile version