Fushata “Patrulla dy“, me moton “Është mirë që ta humbasësh një minutë në jetë sesa ta humbësh jetën në një minutë”, po vazhdon tash e një muaj për parandalimin e aksidenteve në trafik e në veçanti të atyre me fatalitet.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se vendosja e veturave të improvizuara të policisë, ka ndikuar në zbritjen e aksidenteve në trafik. Në periudhën janar – shtator 2011, numri i aksidenteve ka rënë diku mbi 15 për qind.
Anekënd Kosovës janë vendosur 12 vetura të improvizuara nga dy sosh për secilin rajon. Kelani thotë se këto vetura kanë mundësi edhe të lëvizin.
”Ato do të lëvizin dhe përgjegjës është ekipi i trafikut bashkë me departamentin e trafikut. Në bazë të vlerësimeve në terren dhe në bazë të pikave të zeza ku janë aksidentet më të shpeshta, këto vetura do t”i lëvizin nëpër ato pika”, ka thënë Kelani.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gati 8 mijë persona janë lënduar, prej tyre 175 kanë vdekur në aksidente si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë. /rtk/