Telegrafi

Fushata e “heshtur” e partive politike

Të gjitha partitë politike, janë deklaruar pro zgjedhjeve të parakohshme. Ato, vetëm se kanë filluar punën në teren me strukturat. E shtimi i aktiviteteve, vlerësohet si një lloj fushate e heshtur e partive.

Edhe pse jo zyrtarisht, partitë politike kanë nisur “fushatën” në teren. Veprimet elektorale, ka pasur edhe para dorëheqjes së tashmë ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. Madje, bashkë partneri i tij, PDK-ja, filloi me moton “Dekada e Re”.

Mirëpo, tash PDK ka intensifikuar takimet në teren. Kryetari  i rikonfirmuar i kësaj partie, Kadri Veseli, vetëm gjatë kësaj jave ka takuar strukturat partiake në qytetet si Viti, Kaçanik, Pejë, Kamenicë, Malishevë, Suharekë e Dragash, raporton RTV Dukagjini.

Ndërkohë, këto aktivitete nuk po i lënë anash as partitë e tjera, përfshirë këtu edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ramush Haradinaj në parti nisi të sjellë edhe emra të rinj. Ish-ministrat Albena Reshitaj e Bajram Hasani tash edhe zyrtarisht është pjesë e AAK-së. E që kanë nisur përgatitjet e daljet në terren e pranojnë edhe vetë zyrtarët e AAK-së. Ahmet Isufi tregon se nga dita kur ka dhënë dorëheqje shefi i tij nga Qeveria, kanë rritur aktivitetet jashtë zyrave të partisë.

Edhe Partia Socialdemokrate po thotë të jetë gati për zgjedhje të reja. Dardan Molliqaj në rrjetin social Facebook ka thënë se janë të organizuar dhe të shtritë në shumicën e komunave të Kosovës. Ai ka shkruar se janë të gatshëm më shumë se kurrë për zgjedhje të lira demokratike.

Më aktive në teren është e Nisma Social Demokrate në rajone të ndryshme. Në parkun e Blinajës kryetari Fatmir Limaj, u pa kurrë më i dashur nga aktivist të kësaj partie. Madje, fotografitë, u komentuan shumë edhe opinion.

Aleanca Kosova e re e Behgjet Pacollit po shpreson se zgjedhjet e parakohshme do të ndihmojnë që të mos mbesin të bllokuara projektet që e presin Kosovën./Telegrafi/