Site icon Telegrafi

Fushat e futbollit si vaterpolo

Sipas zyrtarit të Besës, Ismet Ahmeti, takimi i së shtunës Besa-Vëllaznimi, nuk ka gjasa të zhvillohet.

“E tërë fusha është e mbuluar me ujë. Uji ka depërtuar edhe në banjot dhe zhveshtoret e klubit. Të premten do të bëjmë kërkesë në federatë për shtyrjen e ndeshjes, pasi nuk ka gjasa të luhet të shtunën”, ka deklaruar Ahmeti për SportPlus.

Shiu gjithashtu ka vërshuar edhe stadiumin e Hysit në Merdar, por sipas zyrtarëve të këtij klubi, të enjten deri në orën 16:00, gjendja nuk ka qenë e keqe.

“Për momentin fusha është në gjendje të mirë, por të shohim a do të vazhdojë të bie shi edhe nesër (e premte) e pasnesër (e shtunë)”, ka thënë zyrtari i Hysit, Bashkim Sadiku, për SportPlus.

Kryendeshja e kësaj jave, Hysi-Prishtina, është paraparë të luhet të shtunën me fillim në ora 14:00, por mbetet të shihet nëse do të zhvillohet.

Në anën tjetër, edhe fusha e stadiumit ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj, ka marrë pamje të vaterpolos. Në këtë stadium është paraparë të luhet të dielën ndeshja Feronikeli-Trepça. /Telegrafi/
 

Exit mobile version