Telegrafi

Furnizoheshin me mjete grupet kriminale, shkatërrohet baza në Fushë-Kuqe

Policia  e Lezhës ka zbuluar në Fushë- Kuqe një bazë ku furnizoheshin me mjete grupe kriminale, me qëllim kryerjen e krimeve të rënda. Policia shqiptar ka vënë në pranga shtetasin A. L, pronari i banesës së vjetër që shërbente si bazë.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:

-1 automjet tip “Mazda”, me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit;

-5 motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur;

-4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë;

-400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarr-përcjellës, e gatshme për shpërthim;

-Kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.

“Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi A. L., 40 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Strukturat hetimore vijojnë intensivisht punën me qëllim arrestimin e shtetasve për llogari të të cilëve posedoheshin këto mjete/sende dhe që ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar për operacionet “Tempulli” dhe Sundimi i Ligjit” që kanë sjellë arrestimin dhe vënien nën hetim të 12 personave së fundmi në qarqe të ndryshme të vendit.

Balla përgëzoi policinë për finalizimet e operacioneve ndërsa shprehet se pret më shumë nga grupet hetimore në Lezhë për zbardhjen e ngjarjeve kriminale.

“Lëndë narkotike (kokainë dhe kanabis) dhe municion luftarak janë sekuestruar në Dibër, Kukës, Shkodër dhe Tiranë. Ndërsa në Lezhë janë sekuestruar automjete, motomjete, lëndë eksplozive dhe mjete që do të përdoreshin nga grupet kriminale. Pres më shumë nga strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe të institucioneve të tjera ligjzbatuese, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale. Gjithashtu përgëzoj Policinë e Shtetit në Dibër për goditjen e një linje shpërndarje dhe trafikimi kokaine”, shprehet Balla.