Telegrafi

Furgoni përplaset me autokombajnën, plagosen shtatë turiste franceze në Lushnje

Shtatë turiste franceze kanë përfunduar në spitalin e Lushnjes, si pasojë e një aksidenti.

Raportohet se furgoni me të cilin udhëtonin në drejtim të Beratit u përplas me një autokombajnë që po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Turistet kanë marrë ndihmë mjekësore. Disa prej tyre kanë thyeje gjymtyrësh dhe dëmtime të tjera në trup. Fatmirësisht sipas mjekëve nuk ka probleme serioze për shëndetin dhe po kryhen ekzaminimet përkatëse.

Policia në vendngjarje ka ndaluar drejtuesit e mjeteve të përfshirë dhe po disiplinon trafikun si dhe po dokumenton ngjarjen që mund të kishte përfundim tragjik.

Segmenti rrugor nacional Lushnje-Berat është vazhdimisht shkak aksidentesh pasi është vetëm me dy korsi vajtje-ardhje dhe kalon nëpër zonë bujqësore ku mjetet motorike kalojnë nga njëra anë në tjetrën./Tv Klan