Telegrafi

Fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë dhe Shqipëri, fuqizon bashkëpunimin ndërshtetëror

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi sot ka pritur në takim Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja i shoqëruar nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese së Kosovës, Arta Rama Hajrizi.

Gjatë këtij takimi, ministri Kuçi e ka njoftuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Dedja me punën dhe aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë zhvillimet e fundit në fushën e drejtësisë në Kosovë, konkretisht në reformat e realizuara në frymën e perspektivës evropiane, përfshirë legjislacionin, ngritjen e kapaciteteve si dhe garantimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Dedja njoftoi ministrin Kuçi për reformat themelore që po ndërmerren në fushën e drejtësisë në Shqipëri, për sa i përket legjislacionit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë.

Ministri Kuçi dhe kryetari Dedja me theks të veçantë diskutuan për rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese, rolin dhe rëndësinë e punës dhe pavarësisë së këtij institucioni në të dyja vendet.

Ministri Kuçi theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë që ka Ministria e Drejtësisë me institucionet e Drejtësisë në Shqipëri, duke vlerësuar lartë shkëmbimin e përvojave nga të dyja vendet në fushën e drejtësisë. /Telegrafi/