Nëse realizohen premtimet e liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, partia e të cilit doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, brenda katër viteve të ardhshme në Kosovë duhet të hapen 200 mijë vende pune.
Por, ekspertët e arsimit dhe të ekonomisë shfaqin drojën se në treg nuk do të mund të gjendet fuqi e kualifikuar punëtore, qoftë si pasojë e kualifikimit jo të përshtatshëm të kësaj fuqie por edhe cilësisë së dobët të sistemit arsimor në përgjithësi.
Eksperti i arsimit Halim Hyseni, thotë për Radio Kosovën se nevojitet reformim i thellë i programit në shkollat e mesme profesionale, dhe të bëhet një analizë e mirëfilltë e kërkesave të tregut vendor dhe tregut global.
“Pa një pajtueshmëri dhe pa një analizë të nevojave të tregut dhe orientimit të arsimit profesional në harmoni me nevojat e tregut nuk ka gjasa teorike e as praktike që të realizohen ato premtime që janë dhënë për 200 mijë vende të punës”, thotë Hyseni.
Sipas Hysenit, nevojitet ndryshim i thellë në arsimin profesional dhe programi të hartohet mbi bazë të hulumtimeve të sakta rreth profileve arsimore që nevojiten, por edhe profesioneve që kërkohen në tregun e punës.
“Duhet të formohet një komision për reformën e sistemit, kur them reformë, mendoj në transformim e jo reforma të thjeshta e kozmetike por një transformim të thellë në tërë sistemin e arsimit”, thotë ai.
Të krijohen shkolla profesionale
Nga ana tjetër, drejtori i Institutit GAP, Agron Demi thotë se në Kosovë duhet të krijohen shkolla profesionale që i aftësojnë të rinjtë në zanate të ndryshme që kërkohen në tregun e punës.
“Një strategjie e zhvillimit ekonomik e ka edhe të mirën e kësaj se i identifikon fushat në të cilat duhet të orientohet zhvillimi ekonomik dhe në bazë të asaj edhe studentët të orientohen se çfarë të studiojnë dhe të përgatiten për tregun e punës”, shprehet Demi.
Në Malishevë dhe Skenderaj janë themeluar tashmë dy shkolla profesionale të kompetencës, por funksionalizimi i tyre ka marrë shumë kohë.
Ndërkohë, ekspertët sugjerojnë që universitetet të përgatisin kuadro edhe për fushën e energjetikës, ku Kosova thuhet se ka potenciale të zhvillimit, por edhe për fushat tjera që konsiderohen se mund të punësojnë të rinjtë vendorë, që të mos ketë nevojë të importohet fuqia punëtore. /Tribuna/