Site icon Telegrafi

Fuqia e fjalëve: Japonishtja dhe kultura që sheh të bukurën në çdo fazë dhe çdo ekstrem të jetës

Portrait of a Japanese couple in old Japanese village, Edo period

“Kur isha dy vjeçe, familja jonë u shpërngul në një qytet rural në zonën e Kansait, për të qenë pranë prindërve të moshuar të babait tim”, shkruan Mari Fujimoto, në hyrje të librit të ri, “Ikigai dhe fjalë të tjera japoneze”, ku përkthehen 43 nga frazat më prekëse të japonishtes, shkruan Fiona Macdonald për BBC. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Më shumë se një kujtim i fëmijërisë, përvoja e saj pasqyron një qëndrim që vë në pikëpyetje vlerat perëndimore. Fujimoto – shefe e Studimeve Japoneze në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut – është gjuhëtare që beson se duke zbuluar fjalë dhe fraza unike për kulturat tjera, mund të kemi një botëkuptim më të gjerë për jetën tonë.

Mugon-no gyō – një praktikë e meditimit të heshtur që kërkon të ndaleni një moment për të reflektuar, përpara se veproni.

“Është me rëndësi të kemi perspektivë tjetër, të shohim atë jetë tjetër”, thotë ajo. “Në Perëndim synojmë të kërkojmë përsosmërinë dhe gjithmonë ndjejmë se duhet të jemi të përsosur, se duhet të bëjmë sa më shumë që mundemi dhe t’i plotësojmë pritjet e të tjerëve. Duke menduar për mënyrën se si ishin gjyshërit e mi dhe mënyra tradicionale e jetës japoneze, mendova se mund t’i pranojmë gjërat që normalisht nuk i vlerësojmë, si të moshuarit”.

Fukinsei, ose bukuria në asimetri: simetria përfaqëson përsosmërinë dhe është e huaj për përvojën njerëzore. Arti duhet të sjell mundësi alternative, duke pranuar ndryshime!

Artisti i Afrikës së Jugut, David Buchler – i cili ka shkruar një ese të shkurtër për librin – ka jetuar për shtatë vjet në Japoni.

“Kur flas me njerëz në japonisht, jam shumë i vetëdijshëm për atë që po them, për gjestet e mia dhe të qënit i sjellshëm, sepse mendoj se si fjalët do të ndikojnë tek ta”, thotë ai. “Është qasje krejt ndryshe e të folurit”.

Teinei: një qëndrim human, ku çdo gjest kryhet me përkushtim dhe saktësi; duke u sjell me kujdes maksimal, në mënyrë që të tregoni përsosmërinë në sjelljen tuaj.

Libri mbulon tema të mëdha, përfshirë “harmoninë”, “mirënjohjen” dhe “kohën”, por nuk është fjalor abstrakt. Në fakt, Fujimoto hap rrugën drejtë kulturës që shpesh mund të duket e largët.

“Shibui na rikujton bukurinë që shfaqet me kalimin e kohës”, shkruan ajo. “Është e pranishme në heshtjen estetike – ngjyrat e mbytura dhe ndriçimi i zbehur. Kjo fjalë na përkujton t’i vlerësojmë gjërat që përmirësohen me moshën. Ka një hir në pjekuri… Ju mund ta përjetoni Shibuin në ngjyrën e gjetheve në fillim të dimrit, ose në një gotë të vjetër çaji në tavolinë”.

Mono-no aware: natyra kalimtare e bukurisë ku e di se asgjë nuk mund të zgjasë.

“Mësimi i japonishtes më qetësoi; mënyra se si i qasem gjërave është më e dobishme për mua”, shton Buchler, që përdor shprehjen “natyra kalimtare e bukurisë”. “Në thelb është të qënët sa i trishtuar aq mirënjohës për kalimin e kohës, si dhe për marrëdhëniet mes jetës dhe vdekjes. Në Japoni janë katër sezone shumë të dallueshme, dhe ju me të vërtetë jeni të vetëdijshëm për jetën, për vdekjen dhe përkohshmërinë. Atje jeni të vetëdijshëm se sa të rëndësishme janë ato momente”.

Libri tregon po ashtu se sa klima e një vendi mund të ndikojë në fjalorin e saj.

Shōgaanai që literalisht do të thotë “nuk ka asnjë mjet apo metodë”, është kujtesa se nganjëherë duhet të pranojmë gjërat ashtu siç janë e që t’i lëmë ndjenjat negative.

“Japonia është vend i vogël… Kushtet e jetesës në Japoninë para-moderne ishin të rënda… njerëzit duhej të mësonin të mbijetonin e se nuk mund të jenë gjithmonë ankues për atë që natyra mund të sjell. Në vend që të mërziteshin ose të përpiqeshin të rezistonin, e kuptuan mënyrën e zgjuar të vlerësimit dhe ballafaqimit me gjërat që kanë”, shton Fujimoto. “I kujtoj tajfunet që shkatërronin të korrat dhe tërmetet masive që morën mijëra jetë në prefekturën time… Kështu, japonezët zhvilluan mënyrën e tyre të jetesës: jetonin në harmoni me natyrën, një filozofi që rri në zemër të Shintos, një spiritualitet i lashtë indigjen i popullit japonez … Ky sistem besimi u zhvillua në mënyrë unike, për të vlerësuar të bukurën sot”.

Kodawari: mendësia për detaje, e motivuar nga pasioni i sinqertë dhe vetëdisiplina, duke e ditur madje se disa prej këtyre përpjekjeve do të shkojnë huq.

Fujimoto pranon se ekzistojnë disa “elemente esenciale të bukurisë, të tilla si simetria, kompozicioni, rinia dhe gjallëria”, por, “ne tentojmë të joshemi nga ato cilësi ‘pozitive’, ndërsa cilësitë e kundërta, të tilla si shëmtia, papërsosmëria, mosha dhe vdekja, konsiderohen të papëlqyeshme në botën perëndimore. Nga ana tjetër, estetika tradicionale japoneze është e bazuar në të vërtetën e pamohueshme të natyrës: çdo gjë në natyrë është e përkohshme; asgjë nuk zgjat dhe asgjë nuk është e përsosur. Ka një bukuri në të gjithë spektrin e jetës, që nga lindja në vdekje, nga papërsosmëria te perfeksioni, nga shëmti te hijeshia”.

Yūgen është një formë e bukurisë që rrjedh nga nënvlerësimi: thellësisht i lidhur me Kanson, një përkujtim për të perceptuar përtej asaj që e sheh.

Libri tregon përfitimin që sjell kuptimi i fjalëve në gjuhë tjera: mund ta shohim botën në dy mënyra të ndryshme, duke ruajtur të dy pikëpamjet njëkohësisht.

“Nëse e ndërroni shpejtësinë, mund të shihni më shumë bukuri në botë”, thotë Fujimoto. “Me vetëm një ndryshim të vogël të mendjes apo perspektivës, kuptojmë se kemi shumë gjëra të mëdha përreth që nuk i vëmë re e as nuk i vlerësojmë”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version