Site icon Telegrafi

Funti britanik sërish shënon rënie: Këto janë pesë rreziqet që vijnë nga Brexit-i

Funti britanik edhe sot ka vazhduar të bjerë, duke arritur nivelin më të ulët që nga qershori 1985. Në raport me dollarin, ra me 1.95 për qind. Kështu, një funt sot vlen 1.2798 dollarë amerikanë.

Në bursat evropiane, vlerat e aksioneve kanë rënë akoma, për shkak të shqetësimeve të investitorëve në lidhje me pasojat e Brex-it. Ndërsa, nën presionin më të madh është sektori bankar.

Dje Banka e Anglisë ka publikuar një raport mbi stabilitetin financiar, ku u thanë pesë rreziqet më të mëdha për ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe për ekonominë globale – pas votimit të Brexit-it, transmeton Telegrafi.

Së pari, ekziston rreziku nga borxhi i ekonomive familjare. Banka e Anglisë paralajmëron se rritja e këtij lloji të borxhit mund të jetë i madh sipas standardeve ndërkombëtare.

Tutje, shtrohet çështja e tregut të patundshmërive. Gjashtë muaj më parë, çmimet e pasurive të paluajtshme në Mbretërinë e Bashkuar nisën të rriten me shpejtësi, ndërsa pas votimit të Brexit-irt nisën të bien. Dilema është se ku do të ndalen!

Së treti vjen deficiti. Edhe para votimit të Brexit-it, deficiti i shtetit ishte 6.9 për qind e PBB-së – që është një nivel rekord për Mbretërinë e Bashkuar.

Është e vështirë të mos përmenden problemet që shkakton Brexit-i në tregjet globale dhe ekonomitë botërore. Vendet më të prekura në eurozonë, veçanërisht bankat, duhet të ballafaqohen më shumë me kreditë e këqija.

Dhe, në fund vjen paqëndrueshmëria e tregjeve financiare. Ato janë lehtësisht subjekt i ndryshimeve, e një situatë si Brexit-i mund t’i bëjë të paqëndrueshme dhe të brishta, gjë që në fund mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në ekonominë reale. /Telegrafi/

Exit mobile version