Forca e Sigurisë së Kosovës është ndër institucionet më të besueshme viteve të fundit. Kështu u tha në konferencën e shtatë “FSK dhe partnerët”, ku pjesëmarrës janë atashe ushtarak të shteteve mike dhe partnerëve strategjik.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha tha se qëllimi i kësaj konference është intensifikimi i bashkëpunimit me shtetet partnere.
“Qëllimi i kësaj konference është thellimi i bashkëpunimit dhe intensifikimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe shteteve partnere. Po ashtu është ideja që t’i prezantojmë se cilat kanë qenë të arriturat e bashkëpunimit… Dhe me pa mundësinë se si mund të avancojmë këtë çështje dhe për misionin e ri, që do ta ketë FSK në të ardhmen. Dhe i kemi njoftuar partnerët tanë, me hapat që jemi duke i marrë për me ardh deri te vendimi politik, që është transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha ai.
E sa i përket çështjes së transformimit të FSK në forca të armatosura, Berisha tha se FSK e ka kryer punën e vet dhe se kjo tashmë është më tepër çështje politike.
“FSK realisht e ka kryer punën e vet, misionin e vet. Kjo është më tepër çështje politike. Nevojitet një koordinim shumë më i mirë ndërinstitucional dhe me partnerët tanë strategjik. Po ashtu jemi duke bërë përpjekje serioze, që pjesë e transformimit të FSK-së në forca të armatosura të jetë dhe komuniteti jo shumicë. Në këtë rast, konkretisht komuniteti serb. Sepse kjo e lehtëson punën e transformimit dhe me ndryshime kushtetuese. Transformimi me ndryshime kushtetuese është shumë më mirë për FSK-në, në situatën në të cilën gjendemi, por dhe në të ardhmen për integrime në NATO”, tha Berisha.
Ndërsa, gjenerali i FSK-së, Rrahman Rama tha se roli i partnerëve ka ndikim të madh në avancimin e kapaciteteve të FSK -së.
“Ne jemi institucioni më i besueshëm në pesë vitet e fundit. Ky është një privilegj, por në të njëjtën kohë dhe përgjegjësi t’i mbajmë standardet tona në nivelin më të lartë. Në konferencën e parë të FSK-së me partnerët, që është mbajtur në muajin prill, qëllimi ishte t’i prezantojmë tek ju nevojat tona, për zhvillim të mëtutjeshëm të kapaciteteve të FSK-së dhe po ashtu t’i sinkronizojmë të gjitha aktivitetet me ju në mënyrë që të kemi një qasje më të mirë në objektivat e përbashkëta, në procesin e transformimit të FSK në Forcë të Armatosur. Pasi që kjo është një çështje politike, ne si FSK jemi duke punuar ngushtë me partnerët tanë, për të vendosur kushtet e transformimit kudo që merret vendimi politik”, tha Rama.
Komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, tha se janë të befasuar me profesionalizimin e FSK-së.
“Gjatë mandatit tim në KFOR kemi pasur trajnime dhe ushtrime për të rritur kapacitetet dhe ndër veprueshmërinë. Jemi të befasuar me profesionalizimin e FSK-së. Pjesëmarrja në ‘Shpatën e Argjendtë’, ushtarët e FSK-së kanë marrë pjesë me kapacitete të ndryshme në ushtrime të ndryshme, se si duhet veprojnë dhe në situatat emergjente. Zhvillimi i kapaciteteve sa i përket deminimit është bërë me shumë profesionalizëm…Ne e lavdërojmë lidershipin e FSK-së që kanë tejkaluar problemet esenciale. Kemi një rrjet komunikimi me gjithë pjesëtarët e FSK-së, të cilët janë të shpejtë dhe efektiv”, tha Fungo. /KP/