Familja e Jonida Çanakut nga fshati Kryekuq i Divjakës e ka pasur shumë të vështirë të hapë dyert e mortit për të përcjellë në banesën e fundit vajzën e tyre, të ndarë nga jeta një ditë më parë.
Familjarët e kanë pasur të pamundur të pranojnë lidhjen e Jonidës me 65vjeçarin Sokrat Shano.
Ky i fundit ishte i dashuri dhe me tej vrasësi i vajzës. Të afërmit janë shprehur për TCH se janë përpjekur ta ndajnë 29vjeçaren nga i moshuari, por nuk ia kishin arritur dot. Historia e nisur 3 vjet më parë, e ka detyruar vajzën e re që të ndërpresë edhe fejesën me një tjetër djalë.
Jonida kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes me Shanon, por ky i fundit nuk ka pranuar. Banorët e Kryekuqit janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në këtë varrim. Ata e cilësojnë veprimin e vajzës si të turpshëm. Në të tilla rrethana, Jonida është përcjellë për në banesën e fundit vetëm nga 25 persona.
Por, krejt e kundërta ka ndodhur përballë, në Krutje të Sipërme, rreth 20 minuta larg. Aty dyert e mortit janë hapur që të hënën. Gruaja Margaritë me dy fëmijët po presin dhe përcjellin miqtë.
Me qindra persona, miq e familjarë kanë marrë pjesë në varrimin e 65 vjeçarit Sokrat Shano. Të afërmit e tij thonë se ai ka qenë burrë i ndershëm dhe bamirës në fshat. Shano vrau dhe mbyti Jonida Çanakun më 13 gusht./Shekulli/