Funerali i Mbretëreshës Elizabeth II do të mbahet të hënën më 19 shtator në Westminster Abbey në Londër, ka konfirmuar Buckingham Palace.
Kjo ditë është bërë festë publike, transmeton Telegrafi.
Arkivoli i Mbretëreshës do të qëndrojë për katër ditë për homazhe para funeralit të monarkes më 19 shtator, ka konfirmuar Buckingham Palace.
Trupi i saj do të dërgohet nga Pallati Buckingham në Westminster Hall të mërkurën, ku arkivoli do të vendoset në një platformë të ngritur, të njohur si katafalkë.
Arkivoli i saj do të jetë i veshur me flamurin Royal Standard dhe kur të vendoset në Wesminster Hall do të mbulohet me Kurorën Shtetërore Imperial, me rruzull dhe skeptër.
Anëtarët e publikut më pas do të jenë në gjendje të kalojnë dhe të bëjnë nderimet e tyre.
Salla e madhe është pjesa më e vjetër e Pallatit të Westminsterit, në zemër të qeverisë britanike.
Anëtari i fundit i familjes mbretërore që u shtri në sallë ishte Nëna Mbretëreshë në vitin 2002, kur më shumë se 200,000 njerëz u vunë në radhë për të parë arkivolin e saj. /Telegrafi/