Site icon Telegrafi

Fundoset anija në Detin e Zi, së paku 21 migrantë të vdekur

Një anije e peshkatarëve duke bartur migrantë është fundosur dje në bregdetin e Turqisë në Detin e Zi, me ç’rast u vranë së paku 21 vetë dhe 5 të tjerë konsiderohen të zhdukur, ka njoftuar roja bregdetare e Turqisë.

Së paku 40 vetë janë shpëtuar nga anijet e shërbimit kufitar të Turqisë dhe të anijeve komerciale, ka thënë Komanda e rojës bregdetare të Turqisë.

Anija e peshkatarëve është fundosur pak kohë para agimit të djeshëm afër bregdetit në Kefken, që është 200 kilometraa në lindje të Stambollit, kanë thënë autoritetet turke.

Autoritetet lokale thanë se pjesa më e madhe e migrantëve ishin irakianë, që përpiqeshin të kalonin në Rumani, shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Kapiteni i anijes ishte sirian dhe policia është në kërkim të trafikantëve të tjerë.

Kohëve të fundit, gjithnjë e më tepër migrantë po përpiqen të kalojnë nga Turqia në Detin e Zi dhe të arrijnë në Rumani.

Më se 830 migrantë janë zënë në det së bashku me 10 trafikantë të dyshuar, derisa përpiqeshin të kalonin nëpër Detin e Zi gjatë 7 incidenteve të ndara ndërmjet 13 gushtit dhe 9 shtatorit, kanë thënë zyrtarët e Turqisë.

Exit mobile version