Telegrafi

Fundjavë fantastike në UFC: Jorge Masvidal sfidon kampionin Kamaru Usman

Jorge Masvidal dhe Dwayne "the Rock" Johnson (Foto: Steven Ryan/Getty Images/Guliver)

Jorge Masvidal do ta kërkojë titullin botëror të UFC-së pasi është konfirmuar si kundërshtar i Kamaru Usman në ‘Fight Island’ të Abu Dhabit.

Kampioni në kategorinë e mesme të lehtë, Usman, duhej të ndeshje me Gilbert Burns në UFC 251, mirëpo braziliani është tërhequr.

Në ndërkohë, UFC ka konfirmuar se 35-vjeçari Masvidal do të dalë përballë kampionit në rast se të dy sportistët kalojnë testin për coronavirus. Dhe kjo tashmë ka ndodhur, pasi dy yjet e arteve të përziera marciale kanë rezultuar negativ në testet për COVID-19 dhe tashmë gjithçka është gati.

Evenimenti i të shtunës do të mbahet në ‘Yas Island’ në mënyrë që ta minimizojë rrezikun e përhapjes së virusit.

Usman e fitoi titullin e peshave të mesme të lehta nga Tyron Woodley në mars të vitit 2019, ndërsa në dhjetor e mbrojti nga Colby Covington. 33-vjeçari numëron vetëm një humbje në karrierë, edhe atë në vitin 2013.

Masvidal është bërë emër i popullarizuar në UFC pas fitores ndaj Nate Diaz në nëntorin e kaluar. Në korrik të vitit 2019, ai e kishte regjistruar nokautin më të shpejtë në histori të UFC-së kur e goditi me gju Ben Askren dhe e mposhti për pesë sekonda në ‘UFC 239’. /Telegrafi/