Telegrafi

I fundit thuhet se la dy të vdekur dhe shkatërroi 31 ndërtesa – pasgoditjet vazhdojnë të tronditin Turqinë pas tërmeteve të fuqishme

Lëkundjet e tokës vazhdojnë të tronditin Turqinë jugore ndërsa vendi përpiqet të shërojë plagët e tij pas shkatërrimit në shkallë të gjerë të shkaktuar nga dy tërmete të fuqishme në fillim të këtij muaji.

Ndërsa përpjekjet e ndihmës vazhdojnë për të ndihmuar njerëzit e prekur, tërmetet vazhdojnë të tronditin Turqinë pas dy tërmeteve me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë që goditën jugun e vendit, si dhe veriun e Sirisë, më 6 shkurt.

Që nga tërmetet e fuqishme me qendër në provincën Kahramanmaras, mbi 10,200 pasgoditje u regjistruan nga agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive AFAD, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Sipas TrtWorld, dy tërmete të reja të fuqishme kanë goditur gjithashtu Turqinë, një me magnitudë 6.4 në provincën Hatay të goditur rëndë më 20 shkurt dhe një tjetër me magnitudë 5.6 në Malatya vetëm të hënën, duke shkaktuar shkatërrime dhe viktima të mëtejshme.

Në këtë drejtim, raportohet se të paktën dy persona kanë vdekur dhe 140 të tjerë u plagosën pas goditjes me magnitudë 5.6 ballë në provincën Malatya të Turqisë, sipas AFAD.

Tërmeti shkatërroi 31 ndërtesa dhe ekipet e shpëtimit përfunduan operacionet e kërkimit në shtatë vende dhe deri më tani kanë nxjerrë 32 persona nga rrënojat, tha agjencia.

Nga të plagosurit, 40 janë nën trajtim dhe të paktën 12 prej tyre janë në gjendje të rëndë, shtoi AFAD.

Lëkundjet u ndjenë edhe në provincat fqinje të Kahramanmaras, Gaziantep, Adiyaman dhe Sanliurfa.

Nga tërmetet e fundit, të paktën 44,374 njerëz kanë vdekur në Turqi, dhe 5,914 njerëz janë raportuar të vdekur në Siri.

Veç këtyre, mijëra të tjerë janë raportuar të lënduar. /Telegrafi/