Site icon Telegrafi

Fundi i zvarritur i luftës 100 vjet më parë në Bruksel

Revolucion, ushtarë, gripi spanjoll dhe refugjatë. Gjendja në Belgjikë ishte kaotike në fund të Luftës. Që nga vendosja e armëpushimit deri në kthimin e Mbretit kaluan 11 ditë. Një ekspozitë në Muzeumin BELvue.

“Ka mbaruar vërtet lufta?” Më 11 nëntor 1918 në Brukselin e pushtuar plasën thashethemet. Gjermanët u mundën, thuhej, armëpushimi mund të nënshkruhet. Por në qendër të qytetit, në Bashki, në stacionin jugor të trenit, në shumë rrugë luftimet vazhdonin. Të shtënat nuk pushonin.

Nuk merrej vesh se si ishte puna. Pushtuesit gjermanë ushtronin censurë ndaj shtypit belg. Gazeta ilegale kishte vetëm disa. Lajmet vinin vetëm prej mediave të huaja, për shembull nga Holanda. Por deri sa u mësua se lufta vërtet kishte mbaruar, kaluan ditë.

Në ekspozitën „Bruksel, nëntor 1918″ në muzeumin BELvu në Bruksel tregohet me fotografi, filma dhe dokumenta se si i kanë përjetuar belgët trazirat e fundit të Luftës së Parë Botërore.

Ushtarë revolucionarë dhe gëzim i përmbajtur

Nga 9 deri më 15 nëntor 1918, ushtarët gjermanë në Bruksel filluan të luftonin me njëri-tjetrin. Ushtarët gjermanë të rezistencës, bënë thirrje për revolucion në Belgjikë, pas rënies së Mbretërisë Gjermane. Më 10 nëntor, një ditë e diel, ata krijuan një “Këshill Ushtarësh”, që duhet të qeveriste qytetin. Por, oficerët dhe ushtarët besnikë të Kajzerit gjerman, nuk pranuan dhe filluan të qëllonin ndaj ish-shokëve të tyre, duke pritur urdhërat nga Berlini, të cilat nuk erdhën kurrë.

“Situata ishte shumë e pazakontë,” thotë Chantal Kesteloot nga Arkivi shtetëror belg. “Deri më 14 nëntor qyteti ishte në duart e Këshillit të Ushtarëve. Qyteti nuk u çlirua nga trupat aleate, por nga ushtarët gjermanë të rezistencës.” Ushtarët revolucionarë të Këshillit të Ushtarëve u bënë aleat me popullsinë belge. Por brukselasit kishin vuajtur shumë nga katër vitet e pushtimit. Ata vuanin urie dhe kishin ngrirë nga të ftohtët. Ushqime dhe qymyr kishte shumë pak në ditët e ftohta të nëntorit.

“Nuk pati eufori”, thotë kuratorja e muzeumit, Kesteloot. “Njerëzit qëndruan në shtëpi, sepse gjithçka ishte e vështirë për t’u kuptuar”. Festime dhe njerëz që gëzonin nëpër rrugë nuk pati, sa kohë që ushtarët gjermanë ndodheshin në qytet. “Ushtarët e fundit gjermanë u larguan nga Brukseli me tren që shkonte në Gjermani”, pasi aleatët morrën qytetin më 16 nëntor, pesë ditë pas armëpushimit.

Disa ditë më vonë, të shtunën më 17 nëntor, ata nxorrën nga burgu kryetarin e bashkisë, Adolphe Max. Dhe kur ai doli në sheshin historik para Bashkisë dhe foli para mijëra vetëve të mbledhur u bë e qartë përfundimisht se lufta kishte marrë fund. “Atmosfera ishte si mbas fitores së një ndeshjeje futbolli,” thotë Chantal Kesteloot. Njerëzit guxuan ditën tjetër të ngrinin flamurin belg.

Kthimi i mbretit zgjati

Edhe Mbreti Albert I, morri kohë deri sa të kthehej. Katër vjet me radhë ai i kishte dhënë urdhëra ushtrisë belge duke qëndruar në cepin më perëndimor të Belgjikës, e cila nuk ishte pushtuar nga gjermanë. Duke u kujdesur për imazhin e tij, ai donte të marrshonte në Bruksel duke kryesuar një parakalim triumfal. “Mbreti u kthye më 20 ose 21 nëntor. Parakalimi u organizua më 22 nëntor. Ky ishte një akt simbolik për ta çliruar zyrtarisht Brukselin dhe Belgjikën,” tregon kuratorja Kesteloot. Kështu kishte kohë për organizimin e aktit festiv. Me shpejtësi u ngritën monumentet dhe përkujtimoret e para. Nga gjithë Belgjika mijëra vetë duhet të shkonin më këmbë apo me karrocë me kuaj për në festimet e Brukselit.

Ekspozita në Muzeumin “BELvue” tregon xhirime të dy ekipeve me kamera që fiksuan në celuloid parakalimin e Mbretit. Albert kishte hipur në një kal laraman, për t’u dalluar nga kalorësit e tjerë. Simbolet e veshura ishin pallto ushtarake dhe helmeta e metaltë. Mbreti ishte shumë i dashur tek njerëzit e tij. Që më 22 nëntor ai bëri të ditur se do të fillonte reformat demokratike. E drejta e barabartë e votës, sipas parimit „një njeri një votë”, hyri në fuqi. Mbreti Albert I, ishte monarku i parë belg, që lejoi shtypin ta shoqëronte gjatë gjithë kohës. Ai e kuptoi sa e rëndësishme ishte për proagandën media e re, filmi. Në luftë ai e shoqëroi ushtrinë me ekipe filmike. Që megjithatë nuk duhet të filmonin kurrë luftime dhe ushtarë të vrarë.

Refugjatët dhe gripi spanjoll pushtuan Brukselin

Në rrethinat e Brukselit jetonin 100 vjet më parë rreth 700 mijë vetë. Aty erdhën edhe 100 mijë refugjatë, që ishin dëbuar nga Franca veriore dhe nga Flandra. “Për disa njerëz ishte detyrim patriotik të ndihmonin refugjatët, sepse kjo ishte një mënyrë për t’i bërë rezistencë gjermanëve,” shpjegon Chantal Kesteloot. “Por ka pasur edhe shumë njerëz që i shihnin refugjatët me armiqësi.” Ishte e vështirë të gjendej vendqëndrimi për ta dhe ushqim. Furnizimi me ushqime në Bruksel funksionoi me tallona dhe ndihma shtetërore deri në vitin 1920. “Njerëzit ishin shumë më të dobët se në vitin 2014. Por në Bruksel nuk kishte shkatërrime si në qytetet e tjera belge, që ishin prekur rëndë nga luftimet. Në Bruksel nuk pati asnjëherë luftime të ashpra.”

Brukseli dhe e gjithë Belgjika nuk u lodh nga pasojat e luftës aq shumë sa nga një armik i padukshëm, gripi spanjoll. Virusi vrau në gjithë botën 25 milionë vetë në dy vitet nga 1918 deri më 1920. Vetëm në Bruksel mijëra vetë humbën jetën, shumë më tepër se gjatë luftës./dw

Exit mobile version