Site icon Telegrafi

Fundi i propagandës së ekstremistëve islamikë: Arabia Saudite do të mbikëqyrë interpretimet e fjalëve të Profetit Muhamed!

Arabia Saudite do të fillojë të mbikëqyrë interpretimin e mësimeve të Profetit Muhamed për të parandaluar keqpërdorimin e tyre, për justifikim të dhunës ose terrorizmit, është njoftuar nga Ministria e Kulturës dhe Informimit të Shtetit.

Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është vet mbreti Salman i Arabisë Saudite ai që ka lëshuar një dekret mbretëror që urdhëron krijimin e “Kompleksit King Salman”, për të trajtuar Hadithin (mesazhet) e Profetit Muhamed, në qytetin e Medinës.

Siç thuhet më tej, kompleksi do të kishte një këshill të dijetarëve elitarë të botës të Hadithit, ndërsa presidenti dhe anëtarët do të emërohen nga një dekret mbretëror.

E Sheiku Mohammed Bin Hassan Al-Sheikh u emërua kryetar i Këshillit të Lartë të Dijetarëve.

Muslimanët besojnë se Suneti (ajo që Profeti Muhammed e bëri, e foli ose e miratoi në heshtje) është burimi i dytë i “legjislacionit islamik” pas Kur’anit – duke i udhëzuar se si duhet të udhëheqin jetët e tyre.

Mediat shkruajnë se qëllimi i këtij organi është që të eliminojë tekstet e rrejshme dhe ekstremiste dhe çdo tekst tjetër që është në kundërshtim me mësimet e Islamit dhe që justifikon kryerjen e krimeve, vrasjeve dhe veprave terroriste.

Grupet si ISIS dhe al-Kaida, kanë përdorur dhe vazhdojnë të përdorin interpretimet e tyre të Hadithit në mënyrë që të justifikojnë dhunën dhe të nxisin simpatizuesit e tyre për kryerjen e sulmeve. /Telegrafi/

Exit mobile version