Importit të veturave të vjetra në Kosovë, të cilat po konsiderohen edhe si një prej shkaktarëve të ndotjes së ambientit, duket se do t’i vi fundi. Importi i këtyre veturave, paralajmërohet se do të marrë fund nga dhjetori i këtij viti.
Në bazë të një udhëzimi administrativ të Qeverisë së Kosovës, të nxjerrë në vitin 2015, ishin hequr kufizimet për importin e veturave, por kërkohej që ato t’i përmbushnin kërkesat mjedisore për emetim të gazrave, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Mirëpo, nga fillimi i vitit 2018, importi i veturave do të kufizohet në vjetërsinë e tyre prej 10 vjetësh. Po ashtu, ato do të duhet të plotësojnë standardin e njohur si ‘euro katër’. Kështu tha Burim Deliu, ushtrues detyre i Drejtorit të Departamentit të Automjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës në Qeverinë në largim të Kosovës.
Në anën tjetër, disa qytetarë konsiderojnë se duhet të ketë kufizime në importin e veturave për shkak të efektit negativ në ndotjen e ambientit.
Zeqir Keçekolla nga Prishtina, thotë se veturat janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit. Ai thotë se janë kushtet e vështira ekonomike që i detyrojnë qytetarët të blejnë më tepër vetura të përdorura, ndonëse ato, përveç që shkaktojnë probleme mjedisore, konsiderohen edhe si mjete jo të sigurta në komunikacion.
“Krejt dëmet në mjedis po i bëjnë veturat e vjetra. Por, në Kosovë është varfëri e madhe dhe qytetarët nuk kanë para për të blerë vetura të shtrenjta”, thotë Keçekolla.
Edhe Blerim Kabashi punonjës në sektorin publik, pranon se në tregun e veturave duhet të ketë kufizime të vjetërsisë, por sipas tij, kushtet financiare nuk lejojnë që qytetarët të vozisin vetura të reja dhe të shtrenjta.
“Unë kam dëshirë të kem veturë të re. Por, për shkak të mundësive, vozis veturë të vjetër, të tipit BMW. E di që ndikojnë në ambient, por veturat më pak të përdoruara janë më të shtrenjta”, thotë ai.
Përfaqësues të shoqatës së Importueseve të Automjeteve të Reja, konsiderojnë se në Kosovë nuk duhet lejohet importimi i veturave më të vjetra se pesë ose gjashtë vjet.
Bujar Hoxha, kryetar i kësaj shoqate tha se përdorimi i veturave të vjetra në rrugët e Kosovës, për veç ndotjes së ambientit, ka ndikuar edhe tek rritja e numrit të aksidenteve.
“Kufizimi i vjetërsisë së veturave prej 10 vitesh është i lartë. Është dashur të jetë 5-7 vite. Unë shpresoj se ligji i ri, do të ketë tarifa doganore dhe akciza për veturat që janë vjetra”, shprehet Hoxha.
Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, gjatë viti të kaluar në Kosovës kanë hyrë afër 27000 mijë vetura, numri i veturave te reja ka qenë 2263, kurse vetura të përdorura kanë qenë 24000.
Kurse gjatë këtij viti deri në fund të muajit maj, janë importuar gjithsej 9800 vetura.
Veturat e reja që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, për të cilat që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim – Asocim, nuk paguajnë taksën doganore nga vlera e përgjithshme e automjetit.
Kurse për veturat e përdorura, taksa doganore paguhet 9 për qind nga 10 për qind sa ka qenë më herët.
Të gjitha veturat në Kosovë importohen nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, kurse çmimi varet nga marka dhe viti i prodhimit të veturës.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet. /Rel/Telegrafi/