Telegrafi

Fundi i bumit ekonomik

Shtetet evropiane mund të gëzoheshin për një rritje ekonomike prej 1,7 për qind në katër mujorin e tretë dhe për një total prej 2,8 për qind në nëntë muajt e parë. Por në Turqi, shifrat që publikoi së fundi zyra e statistikave në Ankara, janë pritur me zhgënjim. Ato janë shumë më poshtë nga pritjet e tregut. Vendi, që deri vitin e kaluar bëri bujë me një rritje mesatare prej deri 9 për qind në vit, duhet të kënaqet sot me shumë më pak. Plani i sivjetshëm për një rritje ekonomike prej 3,3 për qind është në rrezik. Fillimisht, qeveria kishte shpresuar madje për 4 për qind.

Turqit konfrontohen me lajme të pakëndshme, jo vetëm për sa i përket rritjes ekonomike. Papunësia arriti në shtator, me 10,7 për qind, kufirin më të lartë që prej katër vjetësh. Papunësia e të rinjve është 20 për qind. Konsumatorët turq, me sa duket, nuk kanë më aq shumë para sa më parë. Shitja e automobilave ra në nëntë muajt e parë të vitit me rreth 19 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një pjesë e problemeve kanë të bëjnë me terrenin ndërkombëtar.

Kështu, reduktimi i blerjes së bonove nga Banka Qendrore Amerikane ndikon edhe në Turqi si në vende të tjera në zhvillim. Investitorët i tërheqin paratë nga Stambolli dhe investojnë në SHBA me shpresën se mund të rritet interesi. Bumi i viteve të kaluara, në një pjesë të madhe, i dedikohej investitorëve nga jashtë.

Nëse këta largohen nga Turqia, mund të ketë pasoja shumë të rënda. Sipas ekspertëve, një pjesë e vështirësive të Turqisë është bërë vetë prej saj. Sidomos, për sa i përket makinerive, ku kanë rënë shumë investimet e sipërmarrjeve turke. Vendi ka nevojë mbi të gjitha për një bazë të fortë prodhimi dhe që të fokusohet te kërkimi dhe zhvillimi. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i bëri thirrje Turqisë për reforma strukturore. Ankaraja duhet të reduktojë varësinë nga investitorët e huaj. Në periudhën pas vitit 2008, kur paratë e investitorëve të huaj i dhanë krahë ekonomisë turke, u humb shansi për reforma.

Këtë e konfirmon edhe opinionisti i njohur turk, Ugur Gurses në gazetën “Radikal”. Gurses theksoi se edhe trazirat politike dhe dyshimet për korrupsion kundër qeverisë, ndikojnë negativisht mbi ekonominë. Pas valës së fundit të arrestimeve të gazetarëve fundjavën e kaluar, kursi i lirës turke ra. /Telegrafi/