Pas 10 ditësh grevë, minatorët kanë arritur marrëveshje me Ndërmarrjen “Trepça”, për ndërprerjen e grevës dhe realizimit të kërkesave të parashtruara nga ana e minatorëve.
Ndërmarrja “Trepça” ka publikuar letrën e minatorëve me katër kërkesat e parashtruara, ndërsa bën të ditur se është pajtuar që tri kërkesat e tyre të realizohen, transmeton Telegrafi.
“Paga e minatorit prej 6-10 të muajit; Të shpallet konkursi i KE-së; Të përmirësohen kushtet e sigurisë; Të tërhiqen vendimet e nxjerra gjatë grevës”, ishin kërkesat e paraqitura nga ana e minatorëve.
Ndërsa, letrën e publikuar nga Ndërmarrja “Trepça” thuhet se Bordi i Përkohshëm i ka trajtuar me kujdes kërkesat e minatorëve dhe se pajtohen në tri pika.
“Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve jemi në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e paraqitura nga ju, sepse janë edhe prioritet tona tashmë. Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve pajtohemi me pikat 1,2,3. Kërkesa e fundit e letrës tuaj ju sigurojmë që do të analizojmë dhe shqyrtojmë në vijimësi vendimet e KE-së, përfshirë ato nga data 27.10.2023”, thuhet në letrën e Ndërmarrjes “Trepça”.
Ndryshe, minatorët e Trepçës kanë ndërprerë grevën pas 10 ditësh.
Grevistët për 10 ditë kanë qëndruar në minierë, duke kërkuar që kërkesat e tyre të plotësohen.
Për gjatë këtyre ditëve, shumë grevistë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore./Telegrafi/