Site icon Telegrafi

“Fundi i gazetave”: The Independent, vetëm në versionin online

Ditorja e njohur britanike, The Independent, dje ka botuar edicionin e fundit të saj të shtypur. Tash e tutje, ajo vazhdon vetëm në online.

Ky vendim ka shtyrë që studiuesi Daut Dauti, në profilin e tij në Facebook shkruan se kjo gazetë duhet të mbahet mend për qëndrimin korrekt, sidomos në raport me Kosovën.

“Fundi i gazetave

Dje, 26 mars 2016, është botuar numri i fundit i gazetës ditore dhe të famshme britanike ‘The Independent’. Nga sot këtë gazetë mund ta lexoni vetëm online. ‘The Independent’ është botuar nga viti 1986 kur u themelua si rezultat kundër masave monopoliste që ndërmori Rupert Murdoch ndaj gazetave britanike.

‘The Independent’ në kohët e saja më të mira është shtypur deri në 400 000 ekzemplarë dhe me numër të dyfishuar në botimet e të dielave. Ky numër filloi të zvogëlohej gjatë dekadës së fundit dhe gjatë vitit të kaluar (2015) shënoi rënie drastike në më pak se 100 000 ekzemplarë kurse muajve të fundit në 40 000.

Gazetat e të dielave në Britani të Madhe (ende) janë botime të veçanta. Ato në të shumtën e rasteve kanë rreth 200 faqe të përbëra nga pjesa kryesore ku botohen lajmet, komentet dhe analizat e politikës së brendshme dhe të jashtme kurse kultura, sporti dhe afarizmi dalin në magazina të veçanta por brenda gazetës. Këto gazeta gjatë historisë kanë krijuar influencë dhe efekte në shkencë, kulturë, sport dhe politikë jo vetëm në Britani por edhe në botë.

Në jetën e qytetarëve britanikë gazetat kanë krijuar edhe rendin e ditës sidomos gjatë të dielave me botimet e veçanta. Mëngjesi i të dielave ka qenë, dhe deri diku ende është, koha kur familjet britanike ulen dhe me qajin e mëngjesit lexojnë shtypin e preferuar. Majtistët lexojnë ‘The Guardian’ por edhe ‘The Independent’, djathtistët ‘The Telegraph’ por edhe ‘The Times’, afaristët ‘The Financial Times’ kurse intelektualët dhe politikanët që të gjitha këto.

Duket se kësaj tradite i ka ardhë fundi pasi që edhe gazetat tjera me siguri do ta përjetojnë fatin e ‘The Independent’. Bota ka ndryshuar aq shumë sa që duket se nuk është më e interesuar për lexime esenciale dhe jashtë mjeteve të tyre elektronike. Mua më duhet ta mbaj mend gazetën ‘The Independent’ edhepse në te kam shkruar vetëm tri herë për të sqaruar problemin e Kosovës dhe të refugjatëve shqiptarë. Por, një herë, në ‘Front Page’ (faqen e parë). ‘The Independent’ duhet të mbahet në mend edhe për qëndrimin, kryesisht korrekt, që pati gjatë luftës në Kosovë.

(Fotografitë janë të numrit të djeshëm, të fundit, të gazetës ‘The Independent’)”, ka shkruar Dauti. /Telegrafi/

Fundi i gazetaveDje, 26 mars 2016, është botuar numri i fundit i gazetës ditore dhe të famshme britanike 'The…

Posted by Daut Dauti on Sunday, March 27, 2016

Exit mobile version