Partitë politike në Maqedoni edhe gjatë ditës së djeshme kanë vijuar me aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Telegrafi Maqedoni ju sjell të përmbledhur në një vend takimet e partive më të mëdha me qytetarët.
Kryesia e BDI-së dje ka qëndruar në Komunën e Gostivarit, me ç’rast nga strukturat vendore është njoftuar për mbarëvajtjen e fushatës për zgjedhjet lokale të së dielës. Në tubimin e mbajtur në fshatin Sërmnovë Ahmeti uroi që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme e demokratike.
PDSH dje ka mbajtur tubim në Tearcë, ku para të pranishmëve ka folur edhe Menuh Thaçi. Ai mes tjerash deklaroi se PDSH ka një bazë të fuqishme në Tearcë, me kuadro të fuqishme. Thaçi më tej theksoi se BDI ka pranuar dobsinë e vet me thirjen e për një kualicion me LSDM-në për Tetovën dhe Tearcën, duke i thirur maqedonasit që të vendosin për ne. Thaçi gjithashtu potencoi se beteja e PDSH-së është për ta ruajtur votën e shqiptarëve dhe për ta artikuluar si kërkesë për të drejtat kolektive të shqiptarëve.
Aleanca për Shqiptarët në krye me kryetarin Ziadin Sela u ndal në gradec të Gostivarit. Sela në fjalimin e rastit u tha të pranishmive se shumë nga liderët e partive shqiptare më 15 tetor do t’i dërgojnë në histri. Ai tha se LSDM-ja nuk meriton votat e shqiptarëve, pasi është ajo parti e cila e montoi rastin e “Sopotit”. Sela tha se Alanca për Shqiptarët do t’i fitojë shumicën e komunave shqiptare, nga Likova e deri në Strugë.
Lëvizja Besa dje ka mbajtur tubim në Saraj të Shkupit në kuadër të fushatës zgjedhore. Kandidati i kësaj partie për kryetar komune, Bashkim Bakiu, u tha të pranishmive se nëse zgjidhet në krye të komunës, do të bëjë reforma thelbësore nëpër shkollat fillore, zhvillim i bizneseve vendore dhe tërheqje e investimeve të huaja dhe reforma në të gjitha fushat.
LSDM-ja dje pati takim me banorët e Komunës së Dollnenti. Para të pranishmëve foli edhe Zoran Zaevi i cili tha se me politikë të ndershme dhe të përgjegjëshme do të ketë para për të gjithë. Ai premtoi pensione sociale.
Ndërsa Nikolla Gruevski me partinë e tij u ndalën në Berovë. Ai tha se kundërshtarët e tij po merren me akuza, shpifje, propagandë të zezë, ndërsa partia e tij me zgjidhje dhe projekte. Gruevski shtoi se partia e tij do ta sjell dritën që i duhet Maqedonisë./Telegrafi/