Telegrafi

Fundamentalistët duan t’i shkatërrojnë piramidat

"Të gjithë myslimanët duhet të zbatojnë mësimet e islamit dhe ne duhet t’i mënjanojmë këta idhuj, siç kanë bërë dikur në Afganistan kur i kanë shkatërruar statujat e Budës”, ka thënë al-Gohari në një intervistë për një televizion privat egjiptian.

"Zoti e urdhëroi Profetin Muhamed t’i shkatërrojë idhujt. Këtë e kam bërë edhe unë kur isha me talebanët, derisa qeveria jonë nuk arriti ta bëjë të njëjtën gjë në Egjipt”.

Të përkujtojmë se lideri taleban, Mullah Omar, në vitin 2001 lëshoi dha një urdhër për të shkatërruar të gjithë idhujt me imazhet e njerëzve ose të kafshëve. Si rezultat i urdhrit, talebanët, duke përdorur eksplozivë, tanke dhe raketa kundërajrore, shkatërruan shumicën e statujave antike të Budës, në provincën Bamiyan, rreth 230 kilometra nga Kabuli. Statujat ishin të shekullit të VI, ndërsa ishin 55 dhe 34 metra të gjata.

Nga përmbysja e dhunshme e regjimit të Hosni Mubarakut, në Egjipt është duke u përforcuar rryma radikale islamike që kërkon zbatimin e ligjit të Sheriatit. Vëllazëria Myslimane, që erdhi në pushtet, angazhohet që Piramidat e Gizës dhe Sfinksi të mbulohen me kanavace.

Presidenti i Egjiptit, Mohammed Mursi, nuk ka komentuar mbi këtë çështje. Ai më parë kishte deklaruar se Egjipti do të zgjerojë ofertat turistike, meqë vendi fiton miliona dollarë nga turistët nga e gjithë bota.

Shpesh, dhuna dhe përleshjet në Kajro ndikuan ndjeshëm në uljen e numrit të turistëve që kanë vizituar kryesisht vendpushimet luksoze në Detin e Kuq, për të shmangur kryeqytetin. /Telegrafi/