Telegrafi

Fullani: Po vuajmë nga deficiti i shkëmbimeve tregtare

Gjatë këtij tremujori, ai arriti vlerën e 22.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, nga 21.6 për qind që ishte vitin e kaluar.

Duke numëruar faktorët që ndikojnë në thellimin e këtij deficiti, Fullani tha se zgjerimi i deficitit tregtar i detyrohet në një masë të madhe faktorëve të përkohshëm dhe përkeqësimit të termave të tregtisë, si pasojë e shtrenjtimit të çmimit të produkteve energjetike dhe të ushqimeve në tregjet botërore.

“Importi i kategorisë ‘minerale, lëndë djegëse dhe energji’, ku përfshihen dhe karburantet, përfaqëson 20.6 për qind të importit të përgjithshëm.

Duke përjashtuar importet e kësaj kategorie, rritja vjetore e importit të mallrave do të ishte 13.1 për qind, ndërsa raporti i deficitit tregtar ndaj prodhimit të brendshëm bruto, do të vlerësohej në masën 18.7 për qind”, – shtoi Fullani, duke bërë të ditur hapësirën që sektori i energjisë ka në totalin e importeve shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, guvernatori bëri të ditur edhe uljen e ritmit të kreditimit për individët nga bankat.

“Ritmi i rritjes së portofolit të kredisë për individët, është reduktuar në 41.0 për qind, nga 67.7 për qind që ishte për vitin 2007, si pasojë e frenimit të ritmeve të rritjes vjetore të kredisë konsumatore”, – tha Fullani.

Ulja e ritmit të kreditimit për individët, vjen edhe për pasojë të shtrëngimit të kritereve të kredidhënies për individët nga bankat e nivelit të dytë. /Shekulli/