Telegrafi

Fullani nuk rikthehet në detyrë, por merr 12 paga dëmshpërblim

Gjykata Administrative ka rrëzuar këtë të enjte kërkesën e ish-guvernatorit Ardian Fullanit për dëmshpërblim pasuror. Po ashtu Gjykata ka rrëzuar edhe kërkesën e tij për kthim në detyrë. Gjykata shpjegon se padia është bërë jashtë afateve të përcaktuara, që në këtë rast janë një vit.

Në argumentin e Gjykatës theksohet se arrestimi dhe dënimi i ish-guvernatorit nuk është bërë as nga banka dhe as nga Kuvendi i Shqipërisë.

Sakaq Gjykata ka pranuar kërkesën e Fullanit për 12 muaj pagë dëmshpërblim nga Banka e Shqipërisë, por ka rrëzuar kërkesën për 15 milionë lekë kompensim për dëmin moral.

Shqyrtimi nga Gjykata Administrative i kërkesës së ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kundër Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendit nisi në prill.

Në tetor 2015 gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm Ardian Fullanin për akuzën e shpërdorimit të detyrës për vjedhjen e 713 milionë lekëve, që u quajt skandali i vjedhjes së Thesarit. /Telegrafi/