Telegrafi

Fullani mbledh krerët e bankave

Në takimin e çdo fundviti, kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u tha drejtuesve të bankave se ekonomia po ecën me ritmet e duhura, drejt stabilizimit dhe se rritja e PBB-së do të jetë me madhe se e vitit 2009.

Duke renditur disa faktorë pozitivë që kanë karakterizuar vitin 2010, Fullani u kërkoi bankave të ishin më aktive në kreditimin e ekonomisë, por nga ana tjetër nuk harroi t’u jepte mesazhe për më kujdes në mbledhjen e kredive të këqija.

“Cilësia e kredisë vijon të jetë problematike, si për kredinë në lek, ashtu edhe për atë në valutë. Në këto kushte, është e nevojshme që bankat jo vetëm të krijojnë me shpejtësi dhe në mënyrë rigoroze fondet rezervë sipas kërkesave rregullative, por njëkohësisht, të plotësojnë dhe të përmirësojnë më tej procedurat dhe kapacitetet njerëzore e financiare, të cilat mundësojnë ndjekjen e huamarrësve me probleme”, tha guvernatori Fullani.

Sipas tij, vendimet e gjykatave dhe veçanërisht veprimet e ekzekutuesve përmbarimorë, duhet të jenë të shpejta dhe efektive.

“Nëse është e nevojshme të plotësohen ose të përmirësohen më tej procedurat ligjore për të përmirësuar efektivitetin e procesit, lipset që industria bankare të bëjë propozimet e nevojshme në një kohe sa më të shpejtë dhe autoritetet publike të angazhohen me seriozitet për t’i shqyrtuar ato”, tha kreu i BSH-së. /Tch/Telegrafi/