Telegrafi

Fullani: Ekonomia po përmirësohet

Por kreu i bankës paralajmëron se ekonomia shqiptare është e mbivarur nga sektori i jashtëm, duke paralajmëruar se këto zhvillime pozitive mund të jenë të paqëndrueshme.

“Ndonëse pozitiv, ritmi i rritjes ekonomike, duket se është i pamjaftueshëm për të prodhuar një përmirësim të qenësishëm në tregun e punës dhe uljen e papunësisë. Po kështu qëndrueshmëria e rritjes ekonomike mbetet e brishtë në kushtet afatmesme. Mbështetja e saj në kërkesën e huaj dhe rritjen e eksporteve mund të jetë e pamjaftueshme në kontekstin e perspektivës jo të konsoliduar të ekonomisë botërore”, tha Fullani.

Një tjetër shqetësim mbetet ngërçi i kredisë, për të cilën guvernatori dha sot një shpjegim të ri. “Analizat tona mbi kreditimin e ekonomisë tregojnë se kërkesa e ekonomisë është ende e ulët dhe numri i projekteve të vlefshme për t’u kredituar është ende i vogël”, theksoi Fullani.

Rritja ekonomike ishte 2 për qind në tremujorin e parë dhe 3.3 për qind në tremujorin e dytë sipas Institutit të Statistikave. /Telegrafi/