Site icon Telegrafi

Fule mirëpret ofertën e re të socialistëve

Media në Tiranë citoi zëdhënësen e komisionerit Fule, Angela Filote të ketë thënë se komisioneri evropian mirëpret tryezat për reformën zgjedhore dhe nismën e socialistëve dhe se po ndjek me kujdes gjendjen në Shqipëri.

TV Ora News citoi zëdhënësen të ketë thënë se komisioneri shpreson që mazhoranca dhe opozita do të punojnë së bashku për të gjetur mënyrën për t’i dhënë fund krizës që ka penguar Shqipërinë deri tani në arritjen e objektivit të saj.

Pavarësisht nga oferta e fundit e socialistëve, pozita dhe opozita në Shqipëri vazhduan me shkëmbimin e akuzave të hënën, duke akuzuar njëra-tjetrën për bllokimin e projektit të ndërtimit të unazës së re të Tiranës.

Kryeministri Berisha akuzoi kryetarin e bashkisë së Tiranës Edi Rama për bllokimin e projektit të unazës, ndërsa Edi Rama u kundërpërgjigj se është përgjegjës Berisha, duke bllokuar buxhetin.

Kryeministri me këtë ka shpjeguar në hollësi fondet e dhëna për bashkitë dhe në veçanti për bashkinë e Tiranës. /Telegrafi/
 

Exit mobile version