Telegrafi

Fule bën përpjekjen e fundit: Nesër takon Ramën dhe Berishën

Takimet e para të ditës së nesërme, Fule do t’i ketë me Ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, dhe Ambasadorin e OSBE-së, Eugen Wollfarth. Në orën 10:45 ai do të zhvillojë një takim me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, kurse në orën 12:05 pritet të takohet me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, shkruan Shekulli Online.

Pas takimit me Berishën dhe Ramën, Fule do takohet edhe me Presidentin Bujar Nishani.

Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv: të mund të zgjidhë ngërçin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.

Sipas Fules, Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tri reformat në mënyrë që komisioni t’ia paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare.

Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civilë.

Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e çështjes së qarkut të Fierit, ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës, një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por, e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se çështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende. /Telegrafi/